Maqedoni

Përmirësimi i infrastrukturës për ujërat e zeza, 10 mln euro investim, 2 kolektorë të rinj në Vardar

01.02.2018 15:18

Dy kolektorë kryesorë për ujërat e zeza do të ndërtohen në dy anët e lumit Vardar me fondet IPA2 të BE-së dhe mjete nga buxheti republikan...

Ministria e Ekologjisë, Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi" nënshkruan marrëveshjen për realizimin e projektit për përmirësimin e infrastrukturës për ujërat e zeza në Qytetin e Shkupit. Projekti mundëson mbrojtjen e ujërave të lumit Vardar, por edhe krijon parakushte për ndërtimin e stacionit qendror të filtrimit për Qytetin e Shkupit, theksuan ministri Duraku dhe kryetari i Shkupit, Shilegov. 
 
“Në këtë mënyrë do të mbrohen ujërat e lumit Vardar, e me realizimin e kolektorëve realizohen edhe parakushtet kryesore të ndërtimit të stacionit qendror për trajtim të ujërave të zeza të Qytetit të Shkupit, për të cilën qeveria është zotuar të fillojë më së voni deri në vitin 2020”,- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Sadulla Duraku.
 
“Ky projekt është një hap përpara në angazhimin që ujërat në lumin Vardar të marrin ngjyrën natyrore, ndërsa pastërtia e tij të ngrihet në nivelin më të lartë. Në këtë mënyrë krijohen edhe kushtet për ndërtimin e stacionit të filtrimit, pasi është e pakuptimtë që një kryeqendër e vendit europian të funksionojë pa stacion qendror të filtrimit”,- tha kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Projekti parasheh që kolektori në anën e djathtë të lumit Vardar të jetë në gjatësi prej 3,5 kilometrash, kurse në anën e majtë 4,5 kilometra, ndërsa do të kushtojë 10 milion euro. 
 
GYLTENE SINANI