Maqedoni
Spasovski: Projekti “Polici rrugor”, për qytete të sigurta
01.02.2018 15:30
Ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, ka promovuar projektin e MPB-së “Polici rrugor”...

Ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, ka promovuar projektin e MPB-së “Polici rrugor”, i cili ka filluar nga Kumanova. Bëhet fjalë për projekt të patrullimit të policëve rrugorë nëpër rrugët e qytetit apo rikthimin e “Policit të lagjes”.
Në Kumanovë patrullimi i këtillë do të bëhet në 17 rajone, për çka do të përkujdesen 70 policë, kurse në të ardhmen numri i tyre do të rritet dukshëm. Pas Kumanovës, projekti në fjalë do të vazhdojë në SPB-në e Shtipit dhe Manastirit, kurse më pas edhe në tërë vendin.
“Në punën e policisë, rëndësi të jashtëzakonshme ka shërbimi – polici rrugor, në pjesën e punës efektive, afrimin me qytetarët në pjesën ku punojnë dhe ngritjen e lidhjes polic-qytetar, e cila ishte e ndërprerë. Që të kemi qytete, lagje e rrugë të sigurta, patjetër duhet të kemi policë që do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Shërbimi “Polici rrugor” i rëndësishëm është edhe në pjesën e preventivës, sepse duke i njohur njerëzit dhe kushtet në të cilat jetojnë, do të veprojnë në mënyrë preventive. Qytetarët do të dinë kujt t’i drejtohen për të gjitha dukuritë negative në rrethinën e tyre”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ministri Spasovski gjatë qëndrimit në Kumanovë vizitoi edhe objektin e ri të sektorit për punë administrative pranë SPB-së të Kumanovës, i cili gjendet në hapësirat e ish-Shtëpisë së ARM-së.
NEXHAT AQIFI
