Maqedoni

KShZ, ende s’ka konkurs për anëtarët e rinj. Shabani: të përgatitur për referendum eventual

01.02.2018 16:19

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk i ka zgjedhur tetë anëtarët e rinj të tij pas dorëheqjes...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk i ka zgjedhur tetë anëtarët e rinj të tij pas dorëheqjes së pothuajse të gjithë anëtarëve të përbërjes së kaluar, që erdhi si pasojë e skandalit me pagesën e honorareve shtesë për proceset e fundit zgjedhore.
 
Por, edhe pse KShZ pret ende shpalljen e konkursit për plotësimin e vendeve të zbrazëta, shërbimet teknike brenda kësaj strukture vazhdojnë obligimet e tyre dhe thonë se janë të gatshëm edhe për mbajtjen e ndonjë referendumi eventual për emrin.
 
Por, gjithsesi që fjalën e fundit për çdo proces që e organizon KShZ, referendum eventual, apo zgjedhje të ardhshme presidenciale, e japin anëtarët e KShZ-së, të cilët zgjidhen nga Kuvendi. 
 
“Në aspektin teknik ne jemi të gatshëm të realizojmë, por aspekti tjetër është KShZ-ja, ajo sjell vendime, rregullore për realizimin e zgjedhjeve. Shërbimi profesional nuk e ka atë mandat për gjëra të tilla kur flasim për normat ekzistuese të kodit zgjedhor, ata kërkojnë plotësimin e vendeve të KShZ-së. Ne punojmë sipas rregullave në fuqi, për momentin në KShZ ka vetëm një anëtar, vendet e tjera janë të zbrazëta”,- deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Bekim Shabani.
 
Në ditën globale të zgjedhjeve, KShZ për herë të parë hapi dyert për qytetarët, të cilët më së tepërmi shfaqën interes për listën zgjedhore.
 
Sipas shërbimeve profesionale, ditët e hapura do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme dhe do të kontribuojnë për rritjen e cilësisë së procesit zgjedhor.
 
FLUTURA LATIFI