Maqedoni
Ligji për amnisti, kanë filluar lirimet e para nga burgjet
01.02.2018 17:16
Disa ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për amnisti, filluan edhe lirimet e para nga burgjet e vendit...

Të dhënat e fundit nga burgu më i madh në vend, ai i Idrizovës, tregojnë se mbrëmë nga Gjykata Penale kanë arritur 9 vendime për të burgosurit që përfshihen me këtë ligj, me çka janë liruar 8 të burgosur, në mesin e të cilëve një shtetas i huaj, ndërsa për një të dënuar është ulur dënimi për 30%.
Ndërkaq, nga Drejtoria e Burgut të Shutkës mbrëmë janë liruar 6 të burgosur, ndërsa gjatë ditës së sotme kanë arritur vendime për katër lirime të tjera.
Nga udhëheqësia e burgjeve theksojnë se numri i vendimeve në çdo moment mund të ndryshojë duke pasur parasysh numrin e madh të kërkesave të parashtruara në Gjykatat Penale.
Të burgosurit nga Burgu i Shutkës, që u vërejtën nga ekipi ynë televiziv teksa dalin nga burgu, nuk deshën të prononcohen rreth lirimit të tyre dhe ligjit që ua mundësoi të njëjtën.
Në ndërkohë, nga Sektori për marrëdhënie me publikun pranë Gjykatës Penale në Shkup njoftojnë se në adresë të tyre kanë ardhur më shumë se 1000 kërkesa, përderisa nuk mund me saktësi të flasin për numrin e vendimeve të miratuara nga ana e këshillave të formuar ligjorë, pasi që i njëjti në çdo moment është i ndryshueshëm.
Ata konfirmojnë se mbrëmë janë dorëzuar edhe vendimet e para për lirim në institucionet ndëshkuese përmirësuese.
Sipas ligjit, nga momenti i dorëzimit të kërkesave në gjykatë e deri në sjelljen e vendimeve nuk duhet të kalojë periudhë më e gjatë kohore se 5 ditë.
Sipas dispozitave ligjore, pritet që rreth 800 të burgosur të lirohen nga burgu, ndërsa 3.097 të tjerëve dënimi aktual u zvogëlohet për 30%.
Me Ligjin për amnisti parashihet të kursehen mjete buxhetore që do shfrytëzohen për ndërtimin e institucioneve ndëshkuese përmirësuese, nevojat për reforma në sistemin gjyqësor, si dhe për risocializimin e të burgosurve.
Me këtë ligj nuk u amnistuan personat që janë dënuar me burgim të përjetshëm, personat që kërkohen me fletëarrest ndërkombëtar dhe kryerësit e veprave të rënda penale.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
