Maqedoni

Nimic: procesi ecën përpara, shfrytëzoni momentin; Dimitrov: kërkojmë zgjidhje dinjitoze për të dyja palët; Nimic: bisedohet për emrin, e jo për identitetin e gjuhën; Dimitrov: vijat e kuqe ngushtojnë hapësirën për diskutim

01.02.2018 17:29

Ka mbetur edhe shumë pak kohë, e cila duhet të shfrytëzohet pozitivisht për ta zgjidhur çështjen e emrit...

Megjithëse ka dallime në qëndrimet e palëve, jam optimist se mund të gjendet zgjidhje. Kështu deklaroi ndërmjetësi Nimic në deklaratën e tij, pas takimit me zyrtarët shtetërorë.
 
“Dëgjova mendimet e tyre, pozicionet, por edhe komentet për idetë e mia personale. Në përgjithësi vlerësoj se procesi shkon përpara. Ka vullnet të mirë nga të dyja palët të arrijnë zgjidhje për këtë problem disavjeçar. Është kohë e vërtetë që kjo çështje të zgjidhet dhe rajoni të ec përpara”,- deklaroi ndërmjetësi për çështjen e emrit, Methju Nimic.
 
Maqedonia ka vullnet ta zgjidh problemin në mënyrë që nga të dyja palët zgjidhja të llogaritet dinjitoze, tha ministri i jashtëm Dimitrov. Çështja e emrit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe po ndiqet me shqetësim të madh, tha Dimitrov.
 
“Biseduam shumë detajisht dhe seriozisht dhe tregova se në Greqi ka ide që s’janë të këqija, por edhe ide që si të tilla s’janë të mira dhe që paraqesin tek ne shqetësim”,- u shpreh ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Në pyetjen e gazetarëve për negocim të identitetit, Nimic tha se tek pala greke nuk ka dëgjuar për mohim të identitetit të popullit në Maqedoni. Ndërkaq, shtoi se mandati i tij është të bisedohet për emrin dhe jo për gjuhën dhe identitetin.
 
“Nuk kam dëgjuar nga pala greke atë që do të nënkuptonte mohimin e identitetit të popullit këtu dhe besoj se zgjidhja që është e mundshme është konzistente me ruajtjen e identitetit por edhe përforcimin e identitetit. Jam shumë optimist në këtë kontekst. Ka dallime mes dy vendeve, por në Athinë nuk kam dëgjuar mohim të identitetit”,- u shpreh ndërmjetësi për çështjen e emrit, Methju Nimic.
 
Ndërkaq, Dimitrov ishte i prerë se nuk do të bisedohet për identitetin, sepse, sipas tij, nuk është lëndë e zgjidhjes.
 
Maqedonia ka vullnet ta zgjidh problemin në mënyrë dinjitoze, por assesi nuk do të bisedojë për identitetin. Sa më tepër të flasim për vijat e kuqe, aq më tepër ngushtohet hapësira për të diskutuar dhe zgjidhur problemin, theksoi  Dimitrovi.
 
“Nëse vijmë deri në atë pikë që për zgjidhje duhet të preket identiteti, për fat të keq nuk do të mund të ketë zgjidhje. Por, nga ana tjetër do të ishte për të ardhur keq, dy vende evropiane të vitit 2018 të mos kuptojnë këtë punë”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Nimic nuk deshi të spekulojë se çka do të ndodh nëse këto bisedime nuk kanë sukses, por shtoi faktin se të dyja palët punojnë me përpikëri të arrijnë marrëveshje, ndërkaq secila vonesë më tutje e vështirëson procesin edhe më tepër. 
 
Nimic është takuar edhe me kryetarin e shtetit, Gjorge Ivanov, dhe me kryeministrin, Zoran Zaev. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU