Maqedoni

Gripi sezonal, 1.080 të sëmurë në vetëm një javë. Fruthi, edhe një 5 vjeçar i sëmurë, nuk ishte vaksinuar

01.02.2018 17:54

Me fillimin e vitit shkollor është rritur numri i rasteve të të sëmurëve nga gripi...

Për një javë në vendin tonë janë regjistruar 1.085 të sëmurë nga gripi. Numri më i madh i të sëmurëve është paraqitur në Gostivar, informojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
Mjekët apelojnë që prindërit të mos i dërgojnë në kopshte e shkolla fëmijët e sëmurë, shkollat të ajrosin maksimalisht ambientet dhe prindërit të mos përdorin antibiotikë për fëmijët pa recetë nga mjeku.
 
Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar ndërkohë një rast të ri me një të sëmur nga fruthi, duke e çuar kështu në 3 numrin e të infektuarve në vend. Ka të bëjë me një fëmijë pesëvjeçar, i cili është në lidhje familjare me të sëmurët e mëparshëm. 
 
“Tri rastet e regjistruara janë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Nga të sëmurit njëri është vetëm 5 muaj dhe nuk ka marrë vaksinë, personi i dytë është i moshës 40 vjeçare dhe ka marrë vetëm një dozë të vaksinës, kurse rasti i fundit i cili është regjistruar me datën 23 të muajit të kaluar, bëhet fjalë për një fëmijë 5 vjet, i cili ka marrë vetëm një dozë të vaksinimit. Me fjalë të tjera vitin e kaluar e kaluam me 20 raste te fruthit dhe thamë se situata do të përmirësohet, për fat të keq kjo na tregon se fruthi ende është i pranishëm në shtetin tonë”,- u shpreh mjeku, Karaxhovski.
 
Karaxhovski u bëri thirrje institucioneve shëndetësore që t'i përmbahen kalendarit të vaksinimit për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
 
Ende ka një epidemi të fruthit në Serbi dhe Kroaci, ku ka më shumë se një mijë raste, në to edhe disa raste tejet të rënda shëndetësore.
 
Në Maqedoni, megjithatë, të gjithë të infektuarit janë shtruar në spital dhe deri më tani nuk janë regjistruar raste më serioze.
 
GAZMEND KURTESHI