Lika – Muzhinieks: marrëdhëniet ndëretnike, të rëndësishme për vendin
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muzhinieks, ka takuar sot në Shkup përfaqësues të më shumë institucioneve...

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muzhinieks, ka takuar sot në Shkup përfaqësues të më shumë institucioneve, përfshirë kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin, Hazbi Lika, ministrin e Drejtësisë, Bilent Saliji, ministren e Arsimit, Deskovskan, dhe deputetët romë në Parlamentin e Maqedonisë.
Në takimin me zëvendëskryeministrin Lika është diskutuar rreth hapave konkretë të ndërmarra në sferën e përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në vend.
Lika ka theksuar se miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kuvend është indikacion që kjo qeveri është e vendosur të ecë përpara drejt integrimeve dhe konsolidimit të komuniteteve brenda shtetit.
Bashkëbiseduesit shprehën rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me shtetet fqinje, gjë që ndihmon në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe reflekton me kontributin e qytetarëve për të përshpejtuar rrugën drejt strukturave euroatlantike.
Muzhinieks paraqiti analizat e tij në sferën e arsimit dhe rëndësinë që përmban mësimi i gjuhëve të njëri-tjetrit, duke potencuar se ndërveprimi midis komuniteteve nuk do te thotë humbje e identitetit kombëtar.
Zëvendëskryeministri Lika gjithashtu theksoi se uniteti i bashkësive të ndryshme ndëretnike është thelbësor për Maqedoninë.
