Maqedoni
Kontesti për emrin, Nimic takoi Ahmetin dhe Mickovskin
01.02.2018 18:47
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me ndërmjetësin, Metju Nimic, i cili ndodhet për vizitë në Maqedoni...

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me ndërmjetësin, Metju Nimic, i cili ndodhet për vizitë në Maqedoni, deklaroi se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e tij për të gjetur një kompromis të pranueshëm për të dyja palët.
Ahmeti tha se misioni i tij paqësor ka të bëjë me stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tonë. Ndërkaq, Nimic tha se nga Ahmeti u njoftua për qëndrimet e partisë së tij dhe komunitetit shqiptar rreth procesit për zgjidhjen e problemit me emrin.
“Do ta mbështesim z. Nimicin në këtë mision të rëndësishëm dhe shpresojmë që në një afat sa më të shkurtër kjo çështje të marrë epilog, sepse ka të bëjë shumë me ardhmërinë tonë, me paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Do të jemi në vazhdimësi në mbështetje të këtij procesi dhe në pritje për një zgjidhje sa më të shpejtë, një kompromisi të pranueshëm për të dyja palët, edhe për palën tonë edhe për palën greke”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“E njoftova Ahmetin për aktivitetet e mia në Athinë dhe ato në Shkup dhe e informova atë për përpjekjet e mia që i bëj në emër të Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit me emrin. Sigurisht ai është i njoftuar mirë me këtë problem dhe gjendjen e negociatave. Ai më tregoi qëndrimet e tij dhe partisë së tij dhe komunitetit shqiptar dhe gjithashtu ne diskutuam se si mund të gjejmë një zgjidhje”,- u shpreh ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.
Nimic takoi edhe kreun e VMO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Sipas komunikatës së kësaj partie në këtë takim, Mickovski ka shfaqur brengosjen e tij për disa hapa të caktuar në shoqërinë greke të cilat irritojnë dhe nxisin ndjenja negative ndaj Republikës së Maqedonisë dhe të njëjtat nuk i ndihmojnë procesit.
Mickovski nënvizoi se bisedimet duhet të vazhdojnë në kuadër të KB-së duke respektuar dokumentet dhe parimet e Këshillit të Sigurimit, marrëveshjen e përkohshme dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
NAIM RAMADANI
