Maqedoni
Debat publik rreth pr/ligjit për lëndët e para minerale
01.02.2018 19:13
Propozim-ligji për lëndët e para minerale nxiti debat të ashpër dhe qëndrime të ndryshme në Komisionin për Çështje Ekonomike...

Propozuesi i ligjit, sqaroi para afaristëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqatave ekologjike, se me këtë propozim kërkojnë që të ndryshohet mënyra e eksploatimit të minierave dhe dhënia e koncesioneve për të mbrojtur ambientin jetësor.
“Ligji nuk përfshin minierat aktuale që kanë marrë koncesione dhe punojnë nën mbikëqyrje të organeve për mbrojtje të ambientit jetësor. Por, ka të bëjë me 86 kërkesat e ardhshme për marrjen e koncesioneve që të mos e gërmojmë gjithë Maqedoninë lindore”,- deklaroi deputetja, Liljana Popovska.
Mirëpo biznesmenët kanë frikë se me këto ndryshime mund të mbyllen shumë miniera dhe shumë minatorë të mbeten pa punë.
“Më duket e pakuptueshme mosmarrëveshja me propozuesin pse nuk mund të bisedojmë me gjuhë të njëjtë që tregojnë numra të ndryshme nga ato që disponojmë ne”,- tha një afarist.
Ekspertët juridikë, në mbështetje të projektligjit, thonë se ky ligj nuk ka vetëm dimensionin ekonomik.
Sipas tyre, me të mbrohet e drejta për ambient të pastër dhe jetë të shëndoshë, si e drejtë themelore e garantuar me kushtetutë.
Ndërkaq, mbrojtësit e ambientit thonë se me dhënien e koncesioneve të reja do të ndodh gjenocid.
“Pse referendum?! E shihni që qeveria e kaluar, kur i ndante koncesionet lutej që të mos vijë mendimi nga qytetarët e bashkësisë lokale. Me një fjalë duhet analizë e thellë dhe ndryshim thelbësor i atij legjislacioni”,- u shpreh eksperti, Svetomir Shkariç.
“Shihni! Ne jemi para një sfide që të bëjmë gjenocid të 400 mijë njerëzve në Maqedoni”,- tha një ekologjist.
Propozim-ligji për lëndët e para minerale është propozuar që të miratohet në Kuvend me procedurë të shkurtuar pas dhënies së 86 koncesioneve për miniera të reja dhe kundërshtimit të banorëve lokalë përmes referendumeve.
SHPËTIM NUREDINI
