Botë

Kaos në Parlamentin shqiptar, Basha: mafia në pushtet po mbron kupolën e krimit

01.02.2018 20:48

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sot nga kaosi e përplasjet...

Shkak për këtë janë bërë shkeljet e procedurave gjatë ekstradimit drejt Italisë të financierit të bandës së Habilajve, Nezar Seitit.
 
Deputeti demokrat, Edmons Spaho, kërkoi të fliste për ekstradimin. Gramoz Ruci nuk e lejoi, ndërkohë deputetët e opozitës bllokuan foltoren e parlamentit, duke thirrur “kriminelë” dhe “hajdutë”. Spaho u përjashtua nga seanca.
 
Kryetari demokrat, Lulzim Basha, e cilësoi ekstradimin e Nezar Seitit si skandalin më të madh të 27 viteve të fundit. 
 
“Mafia në pushtet e ekstradoi për të mbrojtur Saimir Tahirin, Edi Ramën dhe kupolën mafioze në pushtet. Ky skandal vërteton se kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme janë bërë të gjithë bashkë për t’i mbyllur gojën bashkëpunëtorit të drejtësisë”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Monika Kryemadhi e LSI-së kërkoi arrestimin e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonit, për shpërdorim të detyrës.
 
Nezar Seiti u ekstradua pak ditë më parë drejt Italisë, në një kohë kur ndaj tij është një çështje e hapur edhe në Shqipëri. Pikërisht ky fakt përben skandal, sipas opozitës. 
 
LULJETA NDOKA