Botë

ShBA, e gatshme për aksion kundër Sirisë

02.02.2018 13:12

Shtetet e Bashkuara janë “ekstremisht të shqetësuara” nga raportet se forcat e Sirisë aktualisht kanë përdorë...

Shtetet e Bashkuara janë “ekstremisht të shqetësuara” nga raportet se forcat e Sirisë aktualisht kanë përdorë gazin klor si armatim në sulmet në pjesën lindore të Sirisë, ka thënë mbrëmë vonë zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert.

Njëherësh, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thanë se administrata e presidentit, Donald Trump, është e gatshme që përsëri të ndërmarrë aksion ushtarak kundër forcave qeveritare të Sirisë, nëse është e nevojshme për zmbrapsjen e përdorimit të armatimit kimik. Ky zyrtar, që ka folur në kushte të anonimitetit, tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se regjimi i Sirisë mund të zhvillojë metoda të reja për hedhjen e armatimit kimik. 

Forcat lajale ndaj qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, kanë vazhduar që herë pas here ta përdorim armatimin kimik në sasi të vogla prej sulmit vdekjeprurës në prill të vitit të kaluar, i cili ndikoi që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin sulme raketore kundër një baze ajrore siriane, u kanë thënë gazetarëve zyrtarët amerikanë. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk vepron shpejt për ta shtuar presionin ndaj Assadit, armatimi kimik i Sirisë mund të përhapet jashtë Sirisë dhe me gjasë edhe në Shtetet e Bashkuara, ka thënë njëri prej zyrtarëve. “Do të përhapet nëse ne nuk bëjmë asgjë”,- ka tërhequr vërejtjen ky zyrtar.