Maqedoni

Muizhnieks: Me fajin e politikës, ekzistojnë dallime të theksuara mes bashkësive

02.02.2018 14:23

Integrimi dhe respekti i ndërsjellë mes bashkësive etnike janë politika të cilat duhet t’i zbatojë qeveria, vlerëson komisari për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, Nills Muizhnieks...

Shoqëria e Maqedonisë vazhdon të jetë e ndarë në baza etnike dhe gjuhësore, andaj është e nevojshme që liderët politikë të promovojnë kohezion social. Marrëveshja e Ohrit i ka dhënë fund konfliktit të vitit 2001 dhe ka sjellë avancime në sfera të ndryshme, si decentralizimi apo përdorimi i gjuhës, por nuk është arritur kohezioni social.
 
Politika, sipas tij, është fajtori kryesor që ende ekzistojnë dallime të theksuara në mes të bashkësive etnike, posaçërisht mes fëmijëve të cilët kanë pak mundësi për bashkëveprim dhe mësim të gjuhëve të bashkësisë tjetër etnike. Sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Muizhnieks thotë se është duke pritur të shohë vlerësimet e Komisionit të Venecias, por thekson se ajo do të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjit pasi të jetë miratuar, jo më herët se praktika e zakonshme. 
 
“Zakonisht grupet e vogla kanë nevojë për mbrojtje, inkurajim dhe vëmendje për të ruajtur identitetin e tyre, sepse grupet e mëdha zakonisht arrijnë të kujdesen për veten. Kam dëgjuar shumë interpretime të ndryshme për këtë ligj të ri për gjuhët. Unë pres që të shoh rezultatet e Komisionit të Venecias, por ajo do të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjit dhe jo nëse ajo promovon kohezionin social dhe nëse përmirëson marrëdhëniet ndëretnike”,- deklaroi komisari për të drejtat e njeriut, Nills Muizhnieks. 
 
Komisioneri për të drejtat e njeriut vlerësoi se rekomandimet e Avokatit të Popullit duhet të respektohen për të burgosurit në ngjarjet në Kuvend më 27 prill dhe se paraburgimi duhet të jetë masa e fundit.
 
“Ka dyshime se a janë ndjekur procedurat, veçanërisht për personat me imunitet. Sa i përket lirisë së shprehjes, njerëzit kanë të drejtë të shprehen, por nuk kanë të drejtë të rrihen. Nga raportet e shumta unë e di se kushtet në paraburgim janë shumë të këqija dhe shumë duhet bërë për të përmirësuar këto kushte. Paraburgimi duhet të shqiptohet vetëm kur është e nevojshme dhe jo si dënim, veçanërisht kur dihet se cilat janë kushtet”,- theksoi komisari për të drejtat e njeriut, Nills Muizhnieks.     
                                   
Muizhnieks mirëpriti ndryshimet në Ligjin kundër diskriminimit, me të cilin zgjerohet lista e arsyeve për diskriminim, ndërsa inkurajoi autoritetet që të përfundojnë procesin e deinstitucionalizimit të personave me aftësi të kufizuara, që ka filluar prej disa vitesh në vend.
 
ERSAN PAJAZITI