Maqedoni

DAP: Edhe këtë vit tatimi vjetor në sportelet e DAP-it, tatimi paraqitet edhe në formë elektronike

02.02.2018 15:17

Edhe këtë vit qytetarët do të duhet të paraqesin tatimin vjetor për 2017-n në të njëjtën formë....

Edhe këtë vit qytetarët do të duhet të paraqesin tatimin vjetor për 2017-n në të njëjtën formë, duke dorëzuar formularët e tatimeve në sportelet e DAP-it ose përmes formës elektronike. Duhet të paraqiten të ardhurat shtesë të fituara përmes punësimeve të ndryshme, honorarëve, kontratave autoriale dhe shitje-blerjeve më së voni deri më 15 mars, ndërsa autoritet e DAP-it rikujtojnë se kjo gjë realizohet për herë të fundit. Këtë obligim ligjor duhet të kryejnë rreth gjysmë milion qytetarë, ndërsa deri tani janë dorëzuar vetëm 2.500 kërkesa.
 
“Të gjithë qytetarët që kanë fituar të ardhura shtesë, përveç rrogës dhe pensionit, gjatë vitit të kaluar, do të duhet më së voni deri më datën 15 mars të këtij viti të paraqesin tatimin vjetor të tyre në formë të shkruar në sportelet e DAP-it, ose përmes formës elektronike, ndërsa paraqitjet vjetore tatimore të mbushura nga DAP-i do të dorëzohen nga viti i ardhshëm”,- deklaroi Vesna Novakoviq nga DAP-i.
 
Prej këtij viti fillon zbatimi i sistemit të ri të paraqitjes elektronike të tatimeve për të ardhurat e fituara shtesë për çdo muaj, përmes kontratave të shit-blerjes, qirave, të ardhurat e qytetarëve të fituara jashtë vendit dhe të diplomatëve që punojnë në Maqedoni, përfitimet e tregtisë elektronike dhe të produkteve bujqësore që shiten jashtë tregjeve të gjelbra. Deri tani përmes kësaj forme janë paraqitur rreth 32.500 kërkesa elektronike, ndërsa kushti i vetëm për të kryer këtë detyrim ligjor është që këta persona të jenë të regjistruar në sistemin e ri elektronik të DAP-it, në: e-pdd.ujp.gov.mk. 
 
“Përllogaritja e tatimeve të personave fizikë bëhet në formë elektronike përmes sistemit të ri të DAP-it. Afati për dorëzimin e paraqitjeve tatimore bëhet ndaras për çdo të ardhur të realizuar më së voni deri më datën 10 për çdo muaj”,- tha koordinatorja e projektit të sistemit të ri elektronik, Elena Petrova.
 
Përllogaritjet vjetore tatimore të qytetarëve vitin e ardhshëm do t’i plotësojë vetë DAP-i dhe të njëjtat do tua dorëzojë tatimuesve përmes formës elektronike. Persona të cilët nuk kanë mundësi ose nuk munden vet të gjinden me sistemin e ri të paraqitjes së tatimeve, do t’u mundësohet që me autorizim të ndonjë anëtari të familjes të dorëzohet tatimi vjetor. 
 
REXHEP QAMILI