Maqedoni

Reformat në gjyqësor, debatohet për propozim ndryshimet ligjore

02.02.2018 16:34

Fillojnë debatet e para rreth propozim ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjit për gjykatësit...

Fillojnë debatet e para rreth propozim ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjit për gjykatësit si pjesë e reformave në sistemin gjyqësor.
 
Ministri i Drejtësisë, Byelet Sali, pranon që ka pasur pakënaqësi brenda Këshillit paraprak për Reforma, por që i njëjti, sipas tij, e ka arritur qëllimin për të cilin është formuar.
 
Edhe pse akoma zyrtarisht nuk është shpallur përbërja e re e Këshillit për Reforma, që e paralajmëroi kryeministri Zaev, Sali theksoi se i njëjti ka për qëllim të përfshijë të gjitha funksionet relevante në këtë sferë dhe jo emrat e atyre që bartin të njëjtat.
 
Sipas tij, udhëheqësia e Këshillit nga kryeministri dëshmon angazhimin e Qeverisë në këtë proces.     
                                                                              
“Kryeministri e udhëheq këtë Këshill për faktin që t’i japë një rëndësi politike dhe të dërgojë mesazh politik se Qeveria është kryekëput e angazhuar dhe përcaktuar për një proces transparent, inkluziv, me qëllim të përshpejtimit të procesit reformues të shtetit”,- tha ministri i Drejtësisë, Bylent Sali.                                                                                                                                                  
Nga Shoqata e Gjykatësve theksojnë se disa nga vërejtjet e tyre janë kyçur në strategji dhe ligje dhe disa pritet që të implementohen drejtpërsëdrejti në vijim. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Xhemali Saiti, kahja e reformave do të varet kryesisht nga politikat e Qeverisë.                                                                                                                                          
“Në të gjitha debatet ne i shprehëm vizionet tona se si duhet të duket Këshilli gjyqësor, si duhet të duken procedurat që kanë të bëjnë me notimin, shkarkimin, me procedurat disiplinore ndaj gjykatësve dhe të gjithë ata janë dërguar në drejtësi, pjesë të tyre janë implementuar në strategjinë për reforma dhe pjesa tjetër pritet që të implementohen drejtpërsëdrejti edhe në ligjet në vijim”,- u shpreh kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti.                                                                                                                           
Akademiku Vllado Kambovski vlerëson se Gjykata Supreme duhet të kthejë pozitën e saj në piedestal të pushteti gjyqësor, ndërsa shton se pushteti gjyqësor duhet të ketë financim stabil dhe mos të lejohet varësi nga pushteti ekzekutiv.     
                                                                  
“Mos të lejohet që përmes varësisë financiare, gjyqësori të okupohet nga pushteti ekzekutiv dhe kështu të shkurtohet mundësia e tyre që të veprojnë në mënyrë efikase dhe cilësore”,- tha Vllado Kmbovski nga AShAM-i. 
 
Gjykatat janë të lidhura dhe kanë për obligim të implementojnë aktvendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, theksoi Margarita Caca Nikollovska nga Instituti për të Drejta të Njeriut.   
                                                                                     
“Gjykatësit nuk guxojnë të lejojnë që mos të aplikohen në praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejta të njeriut, për shkak se në të ardhmen kjo mund të jetë bazë për mosveprim të Gjykatës Evropiane në situata të caktuara për shkak të mos zbatimin në praktikë”,- theksoi Margarita Caca Nikollovska nga Instituti për të Drejta të Njeriut. 
 
Ditë më parë, kryeministri Zaev paralajmëroi mundësinë që në Këshillin për Reforma, përveç ekspertëve dhe profesorëve në këtë fushë, Prokurorisë Publike dhe asaj Speciale, Shoqatës së Gjykatësve, të marrin pjesë edhe kryetarët e Gjykatave në vend.
 
Këshilli në fjalë ishte paraparë të formohet deri në fund të muajit janar, mirëpo akoma nuk ka informata zyrtare për përbërjen e tyre.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI