Maqedoni
Bisedimet për emrin, kërcënime për pesë ministrat grekë, si dhe për ministrin Kotzias dhe familjen e tij
02.02.2018 17:28
Në rrethana kur ndërmjetësi Nimic ka intensifikuar aktivitetet me Shkupin dhe Athinën për gjetjen e zgjidhjes së kontestit për emrin...

Në rrethana kur ndërmjetësi Nimic ka intensifikuar aktivitetet me Shkupin dhe Athinën për gjetjen e zgjidhjes së kontestit për emrin, Policia greke ka njoftuar për letra kërcënuese ndaj pesë ministrave grekë, përfshirë edhe shefin e diplomacisë, Kotzias.
“Kemi tre plumba ndaj teje”,- thuhej në letrën që ai e ka marrë, e cila ndodhej në një zarf anonim që ka mbërritur ditën e enjte në Ministrinë e Jashtme, ndërsa thuhet se letra përfundonte me frazën “ushtria duhet të hyjë në Parlament”.
Ministri i mbrojtjes së qytetarëve, Nikos Toskas, duke e konfirmuar kërcënimin, ka thënë se dikujt nuk i pëlqejnë mënyrat e negociatave mes Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.
Toskas tha se kërcënimi nuk është vetëm për Kotziasin, por edhe për familjen e tij.
“Zoti Kotzias po përpiqet ta zgjidhë çështjen e emrit të Maqedonisë me taktika mjeshtërore, nën urdhrat e kryeministrit”,- u shpreh ministri grek, duke theksuar se qëllimi i letrës është nxitja e terrorit.
Mediat greke njoftuan se ka pasur edhe dy telefonata kërcënuese për jetën në shtëpinë e Kotziasit.
Kryediplomati grek, me anë të një postimi në Twitter, i bëri thirrje Partisë Demokracia e Re dhe kishës greke të dënojnë me çdo kusht kërcënuesit.
Ndërkohë, të gjitha partitë politike greke me deklarata për shtyp kanë dënuar kërcënimet ndaj politikanëve.
Në letër ka paralajmërime për çështjen e emrit të Maqedonisë, si dhe kërcënime për ata që janë shprehur kundër tubimeve që kundërshtojnë marrëveshjen që do të përmbante emrin Maqedoni.
Kërcënimi vjen vetëm pas takimeve që ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimic, zhvilloi me zyrtarë të lartë të Maqedonisë e Greqisë.
Po ashtu mediat greke njoftojnë se Kotziasi e ka njoftuar kryeministrin grek për rrjedhën e negociatave dhe takimet me Nimicin.
Sipas tyre, Cipras dhe Koxias janë në komunikim të vazhdueshëm dhe të përhershëm për koordinim të hapave të ardhshëm të Qeverisë.
"Pritet në periudhën e ardhshme të caktohet data për takim të Nikos Koxiasit dhe Nikolla Dimitrovit, me siguri në Selanik”,- shkruan portali informativ "Njupost".
NAIM RAMADANI
