Maqedoni
Rasti “Shuplakat”, Gruevski nuk e ka kuptuar aktakuzën
02.02.2018 17:56
Në Gjykatën Penale në Shkup sërish filloi gjykimi për lëndën e PPS-së “Dhuna në Qendër”...

Në Gjykatën Penale në Shkup sërish filloi gjykimi për lëndën e PPS-së “Dhuna në Qendër”, në të cilën janë të akuzuar ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, dhe pesë persona të tjerë.
Gjykimi është kthyer prej në fillim, sepse lënda i është dhënë gjykatësit, Dushan Josifov, i cili e trashëgoi nga gjykatësja, Tatjana Mihajllova.
Gjykatësi, Dushan Josifov, vendosi të shtyjë gjykimin, pas vërejtjes së Gruevskit dhe të akuzuarve tjerë të cilët thanë se nuk e kuptojnë aktakuzën pasi nuk e kanë pranuar në formë të shkruar. Gjykatësi obligoi PPS-në të dorëzojë si tekst aktakuzën, që të akuzuarit ta kuptojnë plotësisht.
Prokurorja, Fatime Fetai, kërkoi ekspertizë psikiatrike për të gjithë ata që nuk e kuptojnë aktakuzën.
Po ashtu Fetai tha se për shkak të interesave të biznesit me gjoja motiv rrëzimin e kishës “Shën Konstatini dhe Elena”, një pjesë e të akuzuarve kanë hyrë në oborrin e komunës Qendër dhe në mënyrë të dhunshme janë sjellë ndaj të dëmtuarve, i kanë maltretuar, i kanë fyer rëndë dhe ua kanë kanosur sigurinë.
Në seancat paraprake, fajin për ngjarjet para komunës Qendër e pranoi i akuzuari i katërt, Tomisllav Llazarov, si dhe i akuzuari i pestë, Jordan Ristevski, të cilët morën dënime me kusht.
Të akuzuarit në lëndën “Dhuna në Qendër” ngarkohen për nxitje të dhunës që ka ndodhur gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013. Gjykimi për këtë lëndë do të vazhdojë më 13 mars.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
