Ahmeti: që të mos komplikohet procesi, marrëveshja për emrin të ratifikohet në kuvend
Zgjidhja e shpejtë e kontestit të emrit do të arrihet me ratifikim të marrëveshjes në kuvend, ndërsa referendumi eventual do të komplikonte proceset

Zgjidhja e shpejtë e kontestit të emrit do të arrihet me ratifikim të marrëveshjes në kuvend, ndërsa referendumi eventual do të komplikonte proceset, vlerëson lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai këtë qëndrim e ka prezantuar në takimin me eurodeputetët, Viktor Boshtinaru dhe Tanja Fajon, nga grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, si dhe Tonino Picula - raportues në hije për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.
Muajt para nesh janë vendimtarë jo vetëm për Maqedoninë por edhe për rajonin.
"Kompromisi për kontestin e emrit duhet të arrihet tani duke respektuar veçoritë e palëve dhe duke menduar për të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike”,- ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka siguruar mysafirët që zbatimi i reformave sistemore në vend nuk do të ndalet dhe shprehu bindjen që edhe opozita do të marrë pjesë në këtë proces për të mirën e qytetarëve.
Ndërsa siç bëjnë të ditur nga BDI, Grupi social-demokratik në Parlamentin Evropian është shprehur në përkrahje të plotë të agjendës së shumicës parlamentare dhe qeverisë reformuese, duke u vënë tërësisht në dispozicion për ta ndihmuar Maqedoninë dhe rajonin.
