Palestinezët largohen, ofensiva izraelite vazhdon
Me mijëra palestinezë kanë nisur të largohen nga veriu i Gazës, pas paralajmërimeve të Izraelit për sulme të tjera ajrore……...
Me mijëra palestinezë kanë nisur të largohen nga veriu i Gazës, pas paralajmërimeve të Izraelit për sulme të tjera ajrore.
Sipas OKB-së, të paktën 17.000 persona kanë kërkuar strehim në qendrat e saj. Që nga fillimi i ofensivës së shtetit hebre një javë më parë, bilanci i vdekjeve në këtë territor është 172, ndërsa nga ana e Izraelit nuk ka viktima. Të dielën, forcat e tij sulmuan një zonë të dyshuar si vend nga ku hidheshin raketa, e sipas mediave të huaja, ky ishte dhe raporti i parë për inkursion tokësor.
Trupat elitë zbarkuan mëngjesin e një dite më parë në bregun e Rripit të Gazës dhe vepruan kundër qendrave të goditjes me synimin të pengojnë lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi drejt qyteteve izraelite. Shteti hebre i kundërshton shifrat e dhëna për jetët e humbura në radhët e palestinezëve, duke i cilësuar të ekzagjeruara, e madje zëdhënësi i forcave ajrore i tha BBC-së, për shkak të frikës mos të goditeshin civilë, Izraeli ka hequr dorë nga disa sulme. Megjithatë, sipas të dhënave të OKB-së, jo pak por 77% e të vrarëve në Gaza janë civilë.
Përballë ngjarjeve dramatike, diplomacia ndërkombëtare është vënë në lëvizje. Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për armëpushim dhe bisedime paqeje, ndërsa një ditë më parë, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës, të mbledhur në kuadër të bisedimeve bërthamore në Vjenë, diskutuan edhe mbi mundësinë e një pushimzjarri në Gaza.
Shefi i diplomacisë gjermane, do të udhëtojë për këtë qëllim në Lindjen e Mesme, Liga Arabe ka thirrur një mbledhje urgjente në Kajro, ndërsa Këshilli i Sigurimit pritet të zhvillojë një mbledhje tjetër të posaçme.
Në përgatitje të sulmeve edhe më të mëdha, ushtria e Izraelit u bëri thirrje banorëve të Rripit verior të Gazës dhe veçanërisht banorëve të qytetit Beit Lahia, me anë të fletëvolanteve, sms-ve dhe telefonatave automatike, që të largohen nga zonat e banimit deri në mesditë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)