In Memoriam, ndahet nga jeta profesori Remzi Nesimi
Mbrëmë në orët e vona u nda nga jeta, gjuhëtari, pedagogu dhe studiuesi Prof. Dr. Remzi Nesimi.....

Mbrëmë në orët e vona u nda nga jeta, gjuhëtari, pedagogu dhe studiuesi Prof. Dr. Remzi Nesimi. Ceremonia e varrimit u bë sot në varrezat e fshatit Odri, Tetovë.
Prof.dr.Remzi Nesimi, ishte pjesëmarrës – delegat në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë, të mbajtur më vitin 1972, ku mbajti edhe referatin: “Procesi i njësimit të shqipes letrare në Maqedoni”.
Është personalitet i shquar i botës intelektuale shqiptare i cili ka dhënë kontribut të çmueshëm në shkencat filologjike, në fushën e dialektologjisë, duke promovuar me intelektualizëm të pashoq pasuritë shpirtërore e gjuhësore dhe kulturës shqiptarenë përgjithësi. Përndryshe, prof.dr.
Remzi Nesimi lindi në fshatin Odri të Tetovës, më vitin 1933. Shkollën e mesme e kreu në Tetovë, të lartën dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Beogradit, kurse doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës.
Punoi si lektor i gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Universitetin e Beogradit (1962-1964), pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike në Shkup (1964-1975), profesor në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Universitetin e Shkupit (1975-1999).
Është autor i disa librave shkencorë dhe mbi 200 artikuj në revista shkencore e periodike.
