Athinë, protestë e madhe kundër emrit “Maqedoni”

04.02.2018 17:24

Athina sot ishte vendtakimi i grekëve të cilët në një numër të madh protestuan kundër emrit “Maqedonia”.....

Athina sot ishte vendtakimi i grekëve të cilët në një numër të madh protestuan kundër emrit “Maqedonia”.

Me moton “Maqedonia është greke”, protestuesit kundërshtojnë çdo lloj përdorimi të termit Maqedoni në emrin e ri që pritet të vendoset pas negociatave intensive mes Athinës dhe Shkupit zyrtar.

Protesta u përcoll nën masa të rrepta siguria, me stacione dhe rrugë të mbyllura, protestuesit ishin të qartë  “Emrin nuk e japim”.

“Nuk ka nevoja për negociata. Është shumë e thjeshtë. Nuk duam negociata pasi ata janë sllav, ata duhet të gjejnë ndonjë emër sllav” – tha një protestues.

“Maqedonia është e grekëve. Nuk ka dyshim për këtë” – tha një protestuese.

Para protestuesve fjalime mbajtën figura të njohura, mes tyre dhe kompozitori grek  87-vjeçar Mikis Theodhorakis, gjithashtu përfaqësues të Sinodit të Shenjtë, të cilët janë shprehur kundër përdorimit të termit Maqedoni, ndërsa mbështetje protestës i dha edhe ish kryeministri i greqisë Andonis Samaras.

“Çdo tërheqje prej vijës së kuqe do të ketë rezultate katastrofale në ardhmërinë e vendit tone. Nëse tërhiqemi nga pozita jonë për emrin, ajo është sikur ti hapim kufijtë për ata që në mënyrë të hapur dhe të paturpshme na kërcnojnë” – tha kompozitori grek, Mikis Teodorakis.

“Kisha jonë është gjaku  shenjtorëve dhe njerëzve, dëshmojnë për karakterin grek të Maqedonisë që nga kohërat e lashta, për atë nuk mundemi ta pranojmë termin Maqedonia të jetë në përmbajtje të fqinjit tonë” – u shpreh  përfaqsuesi i Sinodid të shenjtë të kishës greke, Doroteos.

“Protesta e tregon unitetin dhe angazhimin e popullit grek: U bëj thirrje partisë Siriza, Demokracinë e Re dhe Pasok të tregojnë se a do ta japin emrin” – tha ish kryeministër i Greqisë, Andonis Samaras.

Në mënyrë paralele me protestën në sheshin Sintagma, në largësi prej 800 metrash, anarkistët organizuan kundërprotestë, gjegjësisht tubim antifashisht.  Organizatorët e kësaj proteste kërkuan që Greqia të mos merret me nacionalizëm por t’i përkushtohet klasës punëtore dhe problemeve të tyre ditore. 

Dy protestat, sipas mediave të Greqisë, e kyçën alarmin në policinë greke. Mbi 20.000 shërbyes polior janë angazhuar për të mbajtur rendin dhe të shmangin incidentet eventuale. (Ersan Pajaziti, TVM2)