Maqedoni
Strategjia për zgjerim nga KE, Osmani: presim sinjal për perspektivë evropiane
05.02.2018 12:49
Maqedonia pret që t’i jepet sinjal pozitiv dhe mundësi për të marrë datë për fillimin e bisedimeve këtë vit...

Maqedonia pret që t’i jepet sinjal pozitiv dhe mundësi për të marrë datë për fillimin e bisedimeve këtë vit dhe të kap afatin kohor 2025 për t’u integruar në BE, bashkë me vendet tjera të Ballkanit.
Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, një ditë para publikimit të strategjisë për zgjerim nga Komisionit Evropian.
“Presim që Maqedonia në këtë kornizë të marrë sinjale për fillim të negociatave qysh në këtë vit, ose datë në fakt për fillimin e bisedimeve, por edhe t’i jepet mundësia që të kap targetin 20-25, sikurse vendet tjera, natyrisht po qe se i plotëson kriteret”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Osmani tha se qeveria ka informacione preliminare se çka përmban strategjia për Maqedoninë, megjithatë detajet do t’i shpalosë Komisioni Evropian, theksoi ai.
Kjo strategji, sipas tij, është moment historik dhe bindje se BE po e rikthen perspektivën e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht krizave të brendshme që ka familja evropiane.
Gjithsesi, strategjia si e tillë nuk përcakton datë se kur Maqedonia mund t’i fillojë negociatat, por pritet së paku vendit t’i fillojë perspektiva pasi të ketë mbyllur problemet e hapura, deklaroi Osmani, i cili në këtë kontekst theksoi çështjen e emrit si problem bilateral, ndërkaq në aspekt të reformave, ripërsëriti ngecjen në aprovimin e ligjeve në parlament si mungesë e konsensusit kuvendor.
Këto komente zëvendëskryeministri Osmani i bëri në kuadër të organizmit të mëngjesit me punë, ku të ftuar kishte ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor,në vigjilje të publikimit të nesërm të strategjisë për zgjerim, që do të prezantohet në Strasburg nga zyrtarët e KE-së.
NERMIN MULAKI
