Maqedoni
Moti, sot dhe nesër mot me diell, reshjet kthehen nga e mërkura
05.02.2018 14:49
Pas të reshurave intensive gjatë fundjavës, të cilat shkaktuan vërshime dhe dëme të shumta në disa pjesë të Maqedonisë....

Pas të reshurave intensive gjatë fundjavës, të cilat shkaktuan vërshime dhe dëme të shumta në disa pjesë të Maqedonisë, vendin e pret mot stabil me temperatura ditore që do të jenë në interval prej 7 deri në 14 gradë celsius, ndërsa temperatura më të ulëta do të ketë gjatë natës, ku mund të ulen deri në -4 gradë celsius.
“Do të kemi mot me diell, me vranësira të kohëpaskohshme, më shumë vranësira do të kemi në pjesën lindore dhe jugore të vendit. Temperaturat minimale do të jenë më të ulëta në pjesën veriperëndimore, intervali i temperaturave minimale do të jetë prej -2 deri në 4 gradë celsius, ndërsa temperatura gjatë ditës do të jetë prej 7 deri në 14 gradë celsius”,- deklaroi sinoptikani, Boris Sekiraski.
Qytetarët kohën me diell mund ta shijojnë deri ditën e mërkurë, kur edhe priten që të paraqiten të reshura të shiut. Por, nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike theksojnë se sipas parashikimeve të tyre këto të reshura nuk do të jenë shumë intensive, ashtu që nuk pritet të sjellin dëme të theksuara.
“Gjatë së mërkurës priten të reshura të reja, edhe atë në mëngjes të reshurat do të fillojnë në pjesën perëndimore të vendit, ndërsa gjatë pasdites të reshurat do të paraqiten edhe në rajonet tjera. Të reshurat nuk besojmë që do të shkaktojnë vërshime, pasi nuk do të jenë me intensitet aq të lartë si dhe do të fryjë erë e fuqishme nga ana juglindore, ashtu që këto të reshura shpejt do të kalojnë”,- tha sinoptikani, Boris Sekiraski.
Reshjet e shiut gjatë dy ditëve të kaluara kanë ndikuar që niveli i ujit në të gjithë lumenjtë në vend të jetë më i larta nga mesatarja për muajin shkurt. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, nivel më të lartë të ujit ka në lumin Treska, në Makendonski Brod, Vardari në rajonin e Velesit dhe Demir Kapisë, Pçinja tek Banja e Katllanovës, Bregallvica te Berova dhe Lumi i Zi në rajonin e Novacit.
ERSAN PAJAZITI
