Maqedoni

Anketë - inkuadrimi në BE: Qytetarët e mbështesin anëtarësimin në BE

05.02.2018 15:59

Mbi 60% e qytetarëve të Maqedonisë mbështesin inkuadrimin e Maqedonisë në BE....

Kështu ka rezultuar anketa debatuese për përfitimet dhe sfidat nga anëtarësimi i Maqedonisë në BE, e zbatuar nga Instituti për Politikë Evropiane. Anketa është zbatuar prej datës 1 deri më 7 nëntor të vitit 2017, ndërsa janë përfshirë 1.200 persona, si dhe më datën 18 dhe 19 nëntor kur janë anketuar 150 persona në një ngjarje debatuese të organizuar për anëtarësimin në BE, emrin dhe identitetin. 
 
“Rreth 31,4% e qytetarëve kanë tërësisht mendim pozitiv për BE-në para ngjarjes debatuese ndërsa pas kësaj në anketën e dytë kjo përqindje rritet në 41,2%. 52.2% e mbështesin hyrjen e Maqedonisë në BE para ngjarjes debatuese ndërkaq më pas kjo përqindje rritet në 63,7%”,- deklaroi Igor Jovanovski nga IPE.
 
Sipas anketës, emri dhe çështjet e identitetit fuqishëm ndikojnë në perceptimin e qytetarëve për anëtarësimin në BE. 
 
“Para debatit 28%, ndërsa pas debatit 40,09%, që do të thotë rreth 41% e qytetarëve në shtet për momentin mbështesin ndryshimin e emrit kushtetues në qoftë se identiteti dhe gjuha, e kam fjalën për maqedonasit etnikë, janë të garantuara”,- theksoi Igor Jovanovski nga IPE. 
 
Një përqindje e vogël e të anketuarve pas debatit, apo 5.3%, është deklaruar se Maqedonia plotësisht i përmbush obligimet demokratike për t’u inkuadruar në BE. Ndërkohë pjesa më e madhe e qytetarëve, apo rreth 60%, konsiderojnë se inkuadrimi i plotë ekonomik dhe politik i Maqedonisë në BE do të ndihmonte reformat dhe demokratizimin e shoqërisë.
 
NAIM RAMADANI