Strategjia e zgjerimit të BE-së, BE diskuton të martën strategjinë për Ballkanin

05.02.2018 17:35

Strategjia e shumëdiskutuar e Komisionit Europian për kthimin e besimit tek procesi i zgjerimit.....

Strategjia e shumëdiskutuar e Komisionit Europian për kthimin e besimit tek procesi i zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor miratohet të martën në takimin e kolegjit të komisionerëve në Strasburg.

Strategjinë para deputetëve të Parlamentit Europian do ta paraqesë vetë kryetari i KE-së, Jean Claude Juncker, ndërsa shefja e politikës së jashtme e BE-së, Federika Mogherini, dhe komisioneri i zgjerimit, Johanes Hahn, do ta prezantojnë të njëjtën para gazetarëve.

Fakti që paraqitja e strategjisë i është besuar zyrtarëve më të lartë të bllokut dëshmon rëndësinë që ka ajo për Komisionin Europian dhe bëhet në një kohë kur deklaratat paraprake  të Junckerit pas marrjes së detyrës i prenë rrugën optimizmit mbi perspektiven e zgjerimit. Juncker ka bërë tashmë të qartë disa herë se zgjerimi i bllokut nuk do të gjejë hapësirë gjatë mandatit të tij.

Por, duket se situata ka ndryshuar në sfondin e frikës së rritjes së ndikimit rus në rajonin e trazuar, krizës së emigracionit, rrëshqitjes se Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin europian pas largimit të Britanisë në vitin 2019. Dhe kjo reflektohet qartë me faktin e  prezantimit të strategjisë, që cilësohet si moment kyç në lidhje me marrëdhënien e re që mund të krijohet mes Brukselit dhe Ballkanit Perëndimor.

Përmbajtja e pjesës më të madhe të draftit dihet tashmë. Ka mbetur të saktësohen afatet kohore se kur mund të hyjnë në BE shtetet më të avancuara. Sido që të realizohet formulimi, në fund do të jetë e qartë ideja e paralajmëruar tashmë se Serbinë dhe Malin e Zi do të mund t’i bashkohen bllokut deri në 2025-n, ndërsa të tjerët deri atëherë do të duhet të kenë të avancuar në “rrugën e tyre europiane”. (Flutura Latifi, TVM2)