Maqedoni
Qeveria e RM-së: Të përkushtuar për zgjidhje me dinjitet të emrit
05.02.2018 17:40
Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përkushtuar në ndërtimin e besimit me Qeverinë e Republikës së Greqisë...

Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përkushtuar në ndërtimin e besimit me Qeverinë e Republikës së Greqisë, me qëllim të qartë, me dinjitet të zgjidhen çështjet e hapura të të dy vendeve fqinje evropiane. Kështu thonë nga Qeveria e Maqedonisë lidhur me protestën e djeshme në Athinë kundër një marrëveshjeje që do të përmbante emrin “Maqedoni”.
"Besojmë se në Greqi dhe në Maqedoni shumica e qytetarëve dëshirojnë fqinjësi të mirë, e cila çon drejt miqësisë dhe drejt stabilitetit të fuqishëm dhe zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit",- theksojnë nga Qeveria, duke shtuar se ekzekutivi i vendit i përfaqëson qëndrimet të cilat kontribuojnë drejt avancimit të bashkëpunimit dhe perspektivave midis dy vendeve.
Edhe kryeministri grek, Cipras, shprehet i vendosur në këtë proces. “Kam përgjegjësi përpara vendit tim”,- deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras, gjatë një takimi me liderin e opozitës nga “Demokracia e re”, Qiriakos Micotaqis, njoftuan mediat greke. “Unë do të bëj më të mirën time për zgjidhjen e kësaj çështje”,- ka deklaruar Cipras. Por, Micotakis e akuzon shefin e qeverisë greke se ka ngritur çështjen e emrit të Maqedonisë për shkaqe politike.
