Prishtinë, anulohet vizita e kryeministrit të Malit të Zi

06.02.2018 12:07

Vizita e kryeministri të Malit të Zi në Prishtinë, Dushko Markoviq...

Është anuluar vizita e kryeministri të Malit të Zi në Prishtinë, Dushko Markoviq, e paraparë të zhvillohet sot. Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka deklaruar se vizita është anuluar për shkaqe atmosferike.

Markoviq pritej që sot të arrinte në orën 08:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, por mjegulla fillimisht detyroi shtyrjen e aterrimit, ndërsa tani vizita e tij është anuluar.

"Për kohën dhe vizitën, mbetet të ketë një koordinim të ri ndërmjet qeverive përkatëse", tha Gashi.

Vizita ka qenë e paraparë të zhvillohet në kohën kur Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë shqyrtimin dhe votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja është nënshkruar në vitin 2015.

Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar atë, por jo edhe ai i Kosovës. Marrëveshja është kontestuar nga deputetët e AAK-së, Nismës, Vetëvendosjes dhe deputetë të partive tjera, pasi vlerësohet se më Kosova humb një pjesë të territorit.