Gjermania në qiellin e shtatë, kampion botëror
Në futboll luajnë 22 vetë, por në fund fitojnë gjermanët. Gjermania është kampione e botës për hetë të katërt në histori…...
Në futboll luajnë 22 vetë, por në fund fitojnë gjermanët. Gjermania është kampione e botës për hetë të katërt në histori.
Në Marakana, ndeshja kundër Argjentinës mbyllet simbolikisht me një goditje të dëshpëruar të Leo Mesit, që duhet të presë akoma për të hyrë si në historinë e Argjentinës si kampion bote. Përfundon me rezultatin 1-0 ashtu si në vitin 90’. Atëherë ishte Brehme që me penallti vendosi fatin e asaj ndeshjeje, ndërsa këtë herë Mario Gëce shpik një goditje spektakolare duke e ndalur topin në rrjetë. Pas një pasimi perfekt të Shyrles, Gëce i gjendur përpara portës së Romeros godet mrekullisht duke mposhtur portierin.
Dy djem që u futën nga stoli dhe i dhanë fitoren Joakim Lëv. Një fitore më se e merituar për atë që kanë bërë në këtë botëror.
HiguaOUT- Për të thënë të vërtetën ndeshja nuk nisi aspak mirë për Gjermaninë sepse Sami Kedira ndjeu dhimbje në kofshë dhe nuk do ta luante këtë finale. Ishte ajo drama e partë sportive e finales. Vendin e tij do ta zërë Kramer, që sërish do të zëvendësohet për një dëmtim që pëson gjatë lojës. Në vendin e tij Shyrle që është fatsjellësi i kësaj Gjermanie. Që Gjermania nuk është ajo e fitores 7-1 ndaj Brazilit kjo kuptohet në minutën e 21, kur Toni Kros kthen një top të gabuar që mund të ishte vërtet dramatik. Ai i dhuron Higuainit një asist që do ta kishte dëshirë çdo futbollist, por Higuain e humbet atë.
Nojer është gjigant edhe atëherë kur nuk pret. Porta duket e vogël kur ai është aty dhe Higuain e shpërdoron në mënyrën më të keqe të mundshme atë rast. Gafat e tij nuk përfundojnë me kaq sepse në minutën e 30’ është sërish përpara portës por nuk mundet ta dërgojë topin në rrjetë. Mesi jep shenja jete duke dribluar disa lojtarë de pason për Lavecin, por ky i fundit nuk e mbërrin topin ashtu siç duhet. Pak minuta më vonë vjen goli, por anulohet sepse Higuain ishte në pozicion jashtë loje.
Shtylla e Houedes- Brazilianët në tribunë festojnë si të kishin organizuar një “party”, por topi ndalet nga shtylla. Ndoshta edhe këtë herë Papa e ndali topin, por nuk bëri asgjë në rastin kur Gëce e dërgoi në rrjetë. Raste të shumta për gjermanët që humben një nga një nga lojtarët. Kros, Shyrle dhe disa të tjerë provojnë të shënojnë, por nuk ia dalin. Romero është i gatshëm të ndalë çdo top dhe ka një sfidë të hapur në distancë me Nojerin.
Mesi zhgënjen- Një top i nisur nga Biglia mund ta kishte dërguar atë drejt rrugës së historisë, por rruga ndalet. Pleshti izolohet nga gjermanët dhe sa herë që ka topin i afrohen shumë lojtarë. Si të mos mjaftonte ai, duhet të vinin edhe gabimet nga Rodrigo Palasio, që pati shansin më të mirë për t’u futur në histori së bashku me Argjentinën e tij. Kontrollon një top në hyrje të zonës dhe e godet shumë shëmtuar duke humbur edhe një herë shansin dhe mundësinë më të mirë. Trajnerët bëjnë zëvendësimet e tyre të fundit, por loja vazhdonte të ishte emocionuese si në momentet e para të saj. Askush nuk dorëzohej. Ishin të gatshëm të jepnin shpirtin në fushën e lojës për të fituar Kupën e Botës.
Gëce gol- Argjentina vazhdon të shëtitë në zonën e Gjermanisë po pa krijuar ndonjë rrezik. Gjermania zbret më e rrezikshme dhe e kërkon më shumë golin. Duhet të vinte minuta e 113 që Mario Gëce krijon një perlë të vërtetë, ashtu si një talent i klasit botëror di të bëjë në ndeshje të tilla.