Kumanovë, seancë gjyqësore për rastin e Almir Aliut
Sot në Gjykatën Themelore në Kumanovë pritet të mbahet seanca....

Sot në Gjykatën Themelore në Kumanovë pritet të mbahet seanca e radhës për rastin e 4-vjeçarit, Almir Aliut.
Seanca paraprake ishte shtyrë për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve, ndërsa edhe seanca e sotme është caktuar pa harmonizimin e qëndrimeve mes prokurorëve të prokurorisë së lartë dhe asaj republikane të cilët mbeten të ndarë në vlerësime sa i përket ngritjes së akuzës për autorin e veprës.
Prokurorët shqiptarë kanë kundërshtuar propozimin e Këshillit Penal në Kumanovë që lënda të rikualifikohet nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Por, propozimin për rikualifikimin e lëndës e kanë mbështetur prokurorët maqedonas, gjë që ka çuar në ndarjen e tyre në baza etnike.
Në seancën e kolegjit në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në atë Republikane, 4 prokurorët shqiptarë u mbivotuan me 6 votat e kolegëve maqedonas, përfshi edhe kryeprokurorin e ri. Kjo nxiti edhe protesta para Prokurorisë Publike ku qytetarët dhe familjarët e Almirit shprehën pakënaqësinë e tyre. Protestuesit kërkuan që lënda të mbetet nën akuzën e vrasjes. Por, kryeprokurori, Lubomir Joveski, përmes një shkrese kërkoi që politika të qëndrojë larg Prokurorisë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në qershor të vitit 2016 pas një zënke banale para urgjencës së qytetit në Kumanovë mes familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit, i cili, sipas dëshmitarëve, me veturën e tij ka sulmuar familjen Aliu, me ç’rast e ka goditur për vdekje katërvjeçarin, Almir Aliun.
