Maqedoni

Rasti “Sopoti”, ndërrohet Këshilli Gjyqësor, gjykimi kthehet nga e para

06.02.2018 15:24

Për shkak të ndërrimit të trupit gjykues në Gjykatën Penale, gjykimi për rastin e Sopotit filloi nga e para....

Gjashtë dëshmitarët e paralajmëruar, inspektorë nga DSK që kanë marrë në pyetje dëshmitarin e vetëm në këtë rast, Ramadan Bajramin, nuk ishin ftuar gjatë seancës. Këta dëshmitarë do të dëshmojnë për rrethanat e dhënies së deklaratës ku nuk përjashtohet përgjegjësia e tyre penale, kishin deklaruar më herët avokatët mbrojtës.
 
Gjykatësi, Darko Todorovski, tha se bëhet fjalë për persona të posaçëm, andaj në seancën e radhës, të caktuar për më 2 mars, i paralajmëroi dëshmitë e tyre pa prezencën e publikut. I akuzuari, Sulejman Sulejmani, para trupit gjykues kërkoi që sa më shpejt të mbarojë ky proces që po zgjat për 14 vite, pasi që ai është në moshë të shtyrë dhe e ka vështirë të vijë në gjykatë. 
 
Sipas avokatit, Vullnet Paçuku, për këtë rast deri më tani më shumë se 10 herë janë ndërruar trupat gjyqësorë, gjë e cila është e papranueshme për një proces penal, ndërsa dëshmitë e inspektorëve janë shumë të rëndësishme për zbardhjen e rastit.
 
“Në seancën e ardhshme gjykata pranoi t’i thërrasë personat që kanë qenë të kyçur në këtë rast, të Shërbimit për Zbulim dhe Kundërzbulim, inspektorë të cilët kanë marrë veprime konkrete dhe duhet të japin dëshmi lidhur me rastin. Nuk kemi informata nëse janë në marrëdhënie pune, por kështu ligji e kërkon nëse janë në marrëdhënie pune, për shkak të zbulimit të ndonjë rrethane me karakter të fshehur, atëherë publiku nuk ka të drejtë të marrë pjesë në këtë seancë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
 
Avokati, Naser Raufi, është optimist se ky rast së shpejti do të ketë epilog përfundimtar.
                                                                                             
“Për arsye se me orarin vjetor u ndërrua Këshilli Gjyqësor, procedura vazhdoi, ka mbetur edhe pak punë për këtë lëndë sipas meje,vetëm dëshmitarët e propozuar nga PPS, eventualisht nga pala mbrojtëse do të propozohen edhe biseduesit në të ashtuquajturat “bomba”, Mijallkov dhe zonja Jankullovska, dhe mendoj që vetëm me këto dëshmi do të mbarojë kjo lëndë penale pasi deri tash të gjitha provat janë apsolvuar”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Në këtë rast për veprën “terrorizëm” akuzohen 10 persona. Ata ngarkohen se kanë vendosur mjet shpërthyes në rrugën lokale Sushevë-Sopot, ku humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një shtetas i Maqedonisë. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI