Maqedoni
Gratë në biznes, trup nacional për mbështetje të grave afariste
06.02.2018 15:48
Me qëllim të mbështetjes së grave afariste, paralajmërohet krijimi i një trupi nacional...

Me qëllim të mbështetjes së grave afariste, paralajmërohet krijimi i një trupi nacional që do të merret me krijimin e politikave dhe trajnimeve. Kjo u paralajmërua në konferencën promovuese të projektit "Përforcim i kontributit dhe efikasiteti i organizatave civile nga sipërmarrësia e grave, drejt reformave të integruara të BE-së në sferën e politikës ekonomike”. Projekti realizohet nga Fondacioni për Menaxhment dhe Hulumtime Industriale, në partneritet me Shoqatën e Grave Afariste dhe GTF Nisma për Zhvillim të Qëndrueshëm nga Kroacia.
“Do të krijojmë këshillin nacional për ndërmarrësi të grave, duke i përfshirë të gjitha palët e interesuara, nga nisma qytetare, sektori qytetar, organizata të punëdhënësve, odat ekonomike, por edhe institucione dhe trupa tjerë të interesuar”,- deklaroi Valentina Disoska nga Shoqata e Biznesit të Grave.
“Presim që shumë organizata qytetare para së gjithash do të jenë të informuara për këtë tematikë, do të kenë qasje në dokumente me të cilat do të mund t’i monitorojmë, ndërsa gratë afariste do të kenë më shumë resurse në dispozicion, si dhe nëpërmjet trajnimeve edhe rritjeve të kapaciteteve në këtë sferë”,- tha Emilija Andonova- menaxher projekti.
Projekti në fjalë do të realizohet deri në dhjetor të këtij viti, ndërsa të gjitha aktivitetet në fund të projektit do të prezantohen në ueb portalin që është pjesë e projektit.
GYLTENE SINANI
