Maqedoni
Strategjia për zgjerimin e BE-së, Junker: zgjidhni kontestet, pastaj në BE
06.02.2018 16:04
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin kontestet mes tyre e më pas të pretendojnë të anëtarësohen në BE...

Kjo ishte porosia e qartë e kryetarit të Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, në Strasburg.
Ai ishte i prerë, asnjë vend nuk do të mund të luajë më në kartën, se kontestin do ta zgjidhë sapo të anëtarësohet. Junker ishte i presë se për momentin vendet e Ballkanit perëndimor nuk i përmbushin kriteret e kërkuara dhe kanë shumë punë para tyre, por po ashtu ishte i qartë se BE është e gatshme t’i ndihmojë.
“Duhet të vendosni, ose kërkoni zgjerim me vendet e Ballkanit perëndimor duke i plotësuar kushtet, ose mos e kërkoni një gjë të tillë! Unë do të doja që vendet e Ballkanit perëndimor të mund të bëhen anëtare të BE-së në momentin kur do t’i përmbushin të gjitha kushtet. Për momentin nuk i përmbushin, prandaj duhet të bëjnë përpjekje. Ne e kemi detyrim t’u ndihmojmë ta kalojnë këtë rrugë të vështirë”,- deklaroi kryetari i Komisionit Europian, Jean Claude Junker.
Edhe pse nuk u përmend asnjë nga vendet ballkanike me probleme të pazgjidhura, Ballkani ka plot të tilla: kontesti i emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, kufiri detar mes Sllovenisë dhe Kroacisë janë vetëm disa nga problemet ballkanike që BE nuk do t’i përfshijë brenda kufijve të saj të brendshëm.
GAZMEND REXHEPI
