Maqedoni
Kotzias: Shkupi të tregojë cili do jetë “mbiemri” i vendit
06.02.2018 16:33
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Kocijas, i ka kërkuar Qeverisë në Shkup që t’u qartësojë qytetarëve se cili do të jetë përcaktimi i tyre për emrin e përbërë...

Në një deklaratë për Euronews në gjuhën greke, Kotzias ka pohuar se Athina tani më po e përgatit terrenin që grekët të pranojnë emrin e përbërë, por nga pala tjetër nuk ekziston një përgatitje e tillë.
“Ne e kemi bërë punën tonë. Ende presim që Shkupi më në fund të dalë dhe të thotë publikisht në këtë emër të përbërë se cili do të jetë mbiemri para emrit dhe ta shpjegojë atë para popullit. Ne po e përgatisim këtë dhe siç e shihni ka vështirësi. Nuk shoh se pala tjetër po bën përgatitje të tilla dhe kjo më shqetëson”,- deklaroi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
Sipas Kotziasit, në takimin e dy kryeministrave në Davos u arrit një marrëveshje që duhet të vlejë për të dyja qeveritë, por, sipas tij, duket sikur disa në Shkup në funksione më të ulëta se kryeministri po dalin me mendime të tjera. Këtyre deklaratave të Kotziasit iu është përgjigjur Qeveria e Maqedonisë.
“Në takimin dypalësh mes dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në forumin ekonomik në Davos, për herë të parë pas dy dekadave u zhbllokuan proceset që çojnë deri tek një zgjidhje dinjitoze të çështjeve të hapura mes Greqisë dhe Maqedonisë, si dy vende fqinje europiane. Gjetja e zgjidhjes së përbashkët është e mundshme dhe për këtë qëllim po rrjedh procesi negociues. Nevojitet vullnet i mirë dhe kompromis mes të dyja palëve që të arrihet deri tek zgjidhja e cila do të respektojë dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve të dy shteteve", thonë nga Qeveria e Maqedonisë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
