Maqedoni
Rasti i Almirit, anulohet seanca, mbrojtja kërkon largimin e prokurores
06.02.2018 16:54
Sërish është anuluar seanca për rastin “Almiri”, në të cilin pritej të jepen fjalët përfundimtare...

Sërish është anuluar seanca për rastin “Almiri”, në të cilin pritej të jepen fjalët përfundimtare, pasi që mbrojtësi i familjes Aliu, Asmir Alispahiq, kërkoi largimin e prokurores së rastit, Suzana Kusigerska. Alispahiq tha se deri te kërkesa për largimin e prokurores ka ardhur pasi që e njëjta nuk sillet si prokurore, por, siç tha ai, si mbrojtëse e të akuzuarit, Boban Iliq.
“Unë si avokat mbrojtës kërkova largimin, me qëllim që të mundet kjo lëndë të marrë rrjedhë të drejtë në procedurën e sërishme, e cila do të bëhet, kurse e gjitha me qëllim që të vijë deri te gjendja e drejt faktike dhe të mundemi të gjithë në RM të jemi të sigurt në atë që quhet drejtësi për rastin e Almirit. Kjo prokurore, e cila sipas meje por edhe sipas personit të autorizuar, në tërësi është tendencioze dhe sillet si mbrojtëse e të akuzuarit, Boban Iliq”,- deklaroi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
“Jemi shumë të bindur se të gjitha provat në procedurën e deritanishme, që nuk na u pranuan, pas 15 marsit ne do arrijmë t’ia imponojmë gjykatës, me ç’rast jemi të sigurtë dhe të bindur që me veprimet tona të ligjshme do t’i ndihmojmë gjykatës në përcaktimin e gjendjes faktike ashtu siç është”,- tha ndër të tjera avokati mbrojtës, Ibrahim Bajrami
Babai i Almirit shpreson në drejtësi, kurse pret që prokurorja të vetëtërhiqet nga ky proces.
“Ne presim nga prokurorja me vetëdëshirë të japë dorëheqje dhe të merren faktet si kanë qenë. As më tepër e as më pak ne nuk kërkojmë, por të shihen faktet si janë, e asgjë tjetër”,- u shpreh babai i Almirit, Sedat Aliu.
Për shkak se kanë kaluar 90 ditë nga mbajtja e seancës së fundit, gjykatësja, Maja Denkovska, kërkoi që lënda për këtë rast të kthehet nga fillimi.
NEXHAT AQIFI
