Maqedoni

Vazhdon përçarja në Lëvizjen Besa, krahu i Kasamit: kemi legjitimitet absolut. Krahu i Shkupit: ata i kanë vulat, legjitimiteti shihet në kongres

06.02.2018 17:13

Lëvizja “Besa” - krahu që mbështet kryetarin e saj, Bilall Kasamin, publikoi vendimin e Gjykatës Shkupi – 2...

Lëvizja “Besa” - krahu që mbështet kryetarin e saj, Bilall Kasamin, publikoi vendimin e Gjykatës Shkupi – 2, me të cilin hidhet poshtë si joligjor dhe jostatusor vendimi i  krahut të Shkupit për shkarkimin e Kasamit.
 
Përkrahësit e Kasamit shpalosën vendimin gjyqësor duke rikujtuar se ata kanë legjitimitetin absolut për sa i përket veprimeve politike të  Lëvizjes “Besa”.
 
“Publikojmë vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2, ku është refuzuar kërkesa e një grupi të pakënaqur për të ndryshuar kryetarin e partisë me metoda jodemokratike, duke shkelur të gjitha procedurat statutore dhe mbi të gjitha duke manipuluar me opinionin publik se ata përfaqësojnë shumicën e Këshillit qendror të partisë, gjë që me këtë vendim u vërtetua si e pavërtetë. Pas këtij vendimi të gjykatës përfundimisht merr fund manipulimi i cili ka pasur për qëllim të dëmtojë sa më shumë Lëvizjen Besa”,- deklaroi Abdul Demiri nga Lëvizja Besa - krahu i Tetovës.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i krahut tjetër të Lëvizjes Besa, të cilët ngritën iniciativën për shkarkimin e Kasamit. Ata thonë se legjitimiteti do të vërtetohet në kongresin e 24 shkurtit në Shkup.
 
“Pavarësisht se dikush ngriti sot flamurin e fitores, jemi këtu për të thënë se kontesti nuk ka përfunduar. Gjykata nuk e ka kontestuar vendimin e shumicës, por procedurën e dorëzimit të dokumentacionit, andaj ka vendosur që vendimin përfundimtar ta marrë pas mbajtjes së Kongresit. BESA nuk është vulë, por projekt politik dhe këtë pas vetes mund ta bartin ata që e kanë skicuar dhe ideuar atë, të tjerët që luftojnë për vula në fund mund ta vulosin edhe turpin e tyre”,- u shpreh Daim Luçi nga Lëvizja Besa- krahu i Shkupit.
 
Nga mbështetësit e kryetarit, Bilall Kasami, ripotencuan njëkohësisht se grupi parlamentar i Lëvizjes Besa mbetet si i tillë deri në momentin kur ndonjë prej deputetëve nuk shprehet se nuk përfaqëson diçka tjetër jashtë kësaj partie. 
 
REXHEP QAMILI