Ekonomi

IPA, 3.3 mln euro për 25 grande, forcohet bashkëpunimi qeveri - sektori joqeveritar

06.02.2018 17:28

Përmes 25 grandeve në vlerë të 3.3 milion eurove synohet përmirësimi i konkurrencës dhe bashkëpunimit...

Përmes 25 grandeve në vlerë të 3.3 milion eurove synohet përmirësimi i  konkurrencës dhe bashkëpunimit të sektorit joqeveritar me qeverinë.
 
Skema e parë e grandeve për rritjen e konkurrencës në ekonomi përfshin 10 projekte në shumë totale prej 1,3 milionë eurosh dhe e dyta përbëhet nga 15 grande në vlerë prej 1.63 milionë euro për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve dhe organizatave në reformat që vendi duhet të bëjë në rrugën e anëtarësimit në BE.
 
“Mbështetja e BE-së është shumë e madhe. Vitin e kaluar ne kemi kontraktuar 122 milion euro dhe kemi shpenzuar 70 milionë euro në këtë vend fantastik. Për këtë vit me 25 projekte në vlerë të 3,3 milion eurove synojmë që  të përmirësohet bashkëpunimi në mes sektorit joqeveritar dhe qeverisë”,- deklaroi udhëheqësi i sektorit për bashkëpunim me BE-në, Nikolla Bertolini.
 
Në planin qeveritar 3-6-9, një vend të rëndësishëm zë pikërisht bashkëpunimi me sektorin joqeveritar në krijimin e politikave qeveritare. Zëvendëskryeministri, Koco Angjushev, thotë se qeveria është e hapur për bashkëpunim. 
 
“Pjesëmarrja e sektorit joqeveritar në krijimin e politikave qeveritare, jo vetëm për rritjen e konkurrencës por edhe për reformat eurointegruese, është me rëndësi të lartë për ne. Organizatat joqeveritare duhet të jenë ndihmesë dhe korrektorë të politikave qeveritare, do të punojmë bashkërisht për krijimin e progresit konvergjent për rezultate maksimale për të gjithë qytetarët”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev.
 
Nga qeveria thonë se po punojnë maksimalisht në implementimin e reformave të kërkuara në rrugën integruese të vendit. 
 
ERSAN PAJAZITI