Maqedoni

Mogerini dhe Han, prezantohet strategjia për Ballkanin perëndimor

06.02.2018 17:41

Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane dhe jemi të përkushtuar që viti 2018...

Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane dhe jemi të përkushtuar që viti 2018 të jetë pikë ndryshimi për BE–në dhe për Ballkanin Perëndimor.
 
Kështu deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, gjatë prezantimit të strategjisë për zgjerim të KE-së. 
 
“Liderët dhe qytetarët e Ballkanit kanë bërë zgjedhje të qartë për anëtarësim në BE, secila me tempon dhe kohën  e vet, por me qëllim të qartë. Sot ne e bëjmë të njëjtën, u tregojmë se përcaktimi ynë është i njëjtë dhe perspektiva është e qartë. Data 2025 nuk është afat i fundit, por qëllim dhe perspektivë reale për mbylljen e tërë procesit për ata që kanë filluar bisedimet dhe për ata që në të ardhmen e afërt do t’i fillojnë”,- deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.
 
Sundimi i ligjit, sigurimi i imigracionit, çështjet socio–ekonomike  dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore janë postulatet kryesore që duhet plotësuar nga gjashtë partnerët e përfshirë në strategji, theksoi eurokomisari, Johanes Hahn.
 
Në drejtim të politikës së fqinjësisë së mirë, Hahn ishte i prerë se BE nuk integron brenda saj vende me probleme bilaterale.
 
“Është me rëndësi që gjithçka të jetë në pajtueshmëri me politikat tona. Është e qartë se kushtet duhet të plotësohen, ndërkaq edhe mesazhet e kësaj strategjie janë të qarta, se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë brenda vend që nuk i ka zgjidhur çështjet bilaterale”,- u shpreh eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
 
Në këtë strategji janë përshirë Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
 
Zyrtarët evropianë në paraqitjen e sotme nga Strasburgu deklaruan se BE do t’i rrisë investimet në këtë rajon si dhe do të bashkëpunojnë me këto vende kryesisht në drejtim të sigurisë si dhe në sfera tjera.
 
NERMIN MULSKI-FEJZULLAHU