Maqedoni
KE, gati që të përgatisë rekomandimin. Zhbogar: 2025 është shans, shpejtoni reformat
06.02.2018 18:03
Viti 2025 është një mundësi kur vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtare të Unionit Evropian....

Viti 2025 është një mundësi kur vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtare të Unionit Evropian, por kjo nuk ka për të ndodhur nëse vendet nuk e përshpejtojnë zbatimin e reformave nëse nuk arrijnë nivelin e vendeve të BE-së. Euroambasadori, Samuel Zhbogar, sqaroi se pret që të ndodh diçka dramatike, në kontekst të zbatimit të reformave dhe zgjidhjes së kontesteve bilaterale.
“KE vlerëson se viti 2025 mund të jetë data kur mund të hyjnë anëtare të reja, ndoshta kjo para të tjerave, ndoshta shtete të tjera para jush, apo të gjitha së bashku, kjo varet nga vetë shtetet. Por, me ritmin që po ec procesi i reformave tani, kjo nuk ka për të ndodhur. Kështu që duhet të ndodh diçka dramatike në vetë shtetet për të përshpejtuar reformat dhe për t’u demonstruar vendeve anëtare se kanë arritur nivelin e BE-së”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Maqedonia ka shënuar progres gjatë kësaj periudhe dhe kjo është shënuar edhe në Strategji, por pushteti, opozita dhe sektori civil duhet të demonstrojnë konsensus dhe të angazhohen së bashku në zbatimin e reformave. Zhbogar ftoi opozitën që të kthehet në Kuvend dhe të japë kontributin e saj, konform deklarimeve pro integrimit.
“Në Strategji thuhet se Komisioni është gati që të përgatisë rekomandimin për të filluar bisedimet për anëtarësim, për të cilin duhet të vendosin vendet anëtare. Për çdo vend, përfshi edhe vendin tuaj, është shumë me rëndësi që të keni konsensus nacional në këtë rrugë. Shoh konsensus nacional për zgjerimin e BE-së, por kjo nënkupton se secili duhet të vihet në ballë dhe të mbështet reformat e nevojshme për këtë. Ky është obligim i të dyja palëve, i qeverisë që të shënojë arritje dhe të marrë parasysh ca vlerësime të opozitës dhe i opozitës që të marrë pjesë në Parlament dhe të marrë vendime atje”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Edhe në planin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët, Maqedonia ka shënuar progres. Zhbogar tha se marrëveshja me Bullgarinë i ka siguruar Maqedonisë një mik të madh në BE, i cili aktualisht kryeson me BE-në dhe mund të jetë i dobishëm për Maqedoninë. Brukseli përshëndet rifillimin e bisedimeve me Greqinë dhe krijimin e atmosferës pozitive si dhe inkurajon të dyja palët që të arrijnë në një përfundim të suksesshëm.
SHPËTIM NUREDINI
