Botë

Strategjia për Ballkanin Perëndimor, nuk ka asnjë datë për anëtarësimin e Shqipërisë

06.02.2018 18:32

Nuk ka asnjë datë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e mes tij edhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian...

Në Strasburg u prezantua Strategjia për 6 shtetet e rajonit tonë, ku thuhet pastër dhe qartë: se ato do të anëtarësohen në BE, por jo në kushtet që janë tani.
 
Pas miratimit të Strategjisë, shefja e Diplomacisë në BE, Federicha Mongherini, dhe komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn, thanë se qasja nuk ndryshon, por viti 2025 është një objektiv e jo një afat konkret, duke lënë të kuptohet se para këtij viti nuk do të ketë anëtarësime të reja.
 
“Shqipëria dhe Mali i Zi janë në 100% me politikën e jashtme të BE-së. Viti 2025 nuk është një target për anëtarësimin, por një perspektivë realiste. Pres që dhe vendet e tjera në muajt e ardhshëm të nisin negociatat. Sot nuk kemi adoptuar vetëm një strategji, por kemi hapur një rrugë që në muajt e ardhshëm të na sjellë vendime të tjera”,- deklaroi shefja e Diplomacisë – BE, Federica Mongherini. 
 
Edhe pse në Strategjinë 15 faqëshe Shqipëria nuk përmendet fare, në Tiranë, shefja e delegacionit të BE-së tha qartë se çfarë kërkohet nga Shqipëria.
 
“Është i nevojshëm dialogu konstruktiv në të gjithë spektrin politik. Qeveria t’i hapë mundësi opozitës dhe kjo e fundit të angazhohet në mënyrë konstruktive. Shqipëria ka një mundësi reale për të hapur negociatat në pranverë. Sa më shumë reforma të zbatoni, aq më shpejt do të arrini. Reforma në Drejtësi është një punë e bërë përpara. Kështu ju mund të arrini vendet që tashmë i kanë hapur negociatat”,- tha ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.
 
Pas këtyre deklaratave, kryeministri, Edi Rama, u shpreh me tone optimiste në facebook.
 
“Mirëpresim çka thuhet për Shqipërinë në Strategjinë e BE. Negociatat më afër se kurrë. Pastaj gjithçka do të varet nga fuqia e vrapimit tonë", – shkruan Rama.
 
LULJETA NDOKA