Maqedoni
Kalojnë përmendoret, BDI-PDSH akuza njëra-tjetrës
14.07.2014 16:14
Me 23 vota “për” dhe 16 “kundër”, në Qytetin e Shkupit u miratua propozim-programi i VMRO–DPMNE -së...
![](https://al.mrt.com.mk/sites/default/files/Lajme-2013-Keshilli_Qyteti_Shkupit_912004431.jpg)
Me 23 vota “për” dhe 16 “kundër”, në Qytetin e Shkupit u miratua propozim-programi i VMRO–DPMNE -së për ngritjen e 5 përmendoreve të reja, që do të jenë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.
Edhe pse BDI, PDSH dhe LSDM votuan “kundër”, votat e VMRO-DPMNE -së ishin të mjaftueshme për t’i dhënë “dritë jeshile” vënies së përmendoreve të reja të historisë maqedonase. Por edhe pse dy partitë shqiptare u bashkuan në votat kundër këtij vendimi, nuk kanë munguar akuzat mes tyre.
“BDI, gjithmonë ka qenë kundër projektit “Shkupi 2014”, thash edhe më parë se ky projekt është “gatuar” në kohën kur VMRO-DPMNE ka qenë në koalicion me PDSH-në. Këtë punë duhej ne së bashku ta pengojmë në seancën e kaluar. Ju e keni pasur rendin e ditës dhe është indikative se ju ishit deri në pikën e 14 dhe seancën e lëshuat pikërisht kur duhej të debatohet dhe votohet pika e 15, ku parashihej debati për propozim-programin e ngritjes së monumenteve historike”, deklaroi këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
“Ju me asgjë nuk treguat që jeni kundër të ndonjë pike të rendit të ditës. Ribalancin, me të cilin ndatë para për truallin dhe bazamentet, ju e votuat. Me para pengohet, nuk pengohet me llafe. Edhe një herë themi se ky vendim është absurd, donacioni i kujt janë këto përmendore nga ana e Qeverisë, kush është në Pushtetin Qendror, është VMRO-BDI, për atë arsye ata ne të pyesin shefat e tyre që i kanë sjellë këto përmendore këtu”, theksoi këshilltari i PDSH-së, Idriz Orana.
LSDM-ja opozitare, e cilësoi këtë projekt si shpenzim të panevojshëm të të hollave. Por edhe me votat kundër të tre partive të tjera në Këshillin e Qytetit, VMRO arriti t’i japë Shkupit edhe 5 përmendore monoetnike shtesë.
REXHEP QAMILI