Maqedoni

Aeroporti “Aleksandri i Madh” riemërohet në “Aeroporti Ndërkombëtar - Shkup”

07.02.2018 11:27

Në seancën e djeshme Qeveria miratoi vendimin për riemërimin e aeroportit “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar - Shkup”....

Po ashtu është marrë vendim që edhe autostrada që mbante të njëjtin emër si aeroporti, të quhet “Miqësia”, ashtu siç edhe kishte deklaruar vetë kryeministri Zaev pas takimit me homologun e tij grek, Akelsis Cipras. 
 
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Greqisë e ka përshëndetur këtë vendim të Qeverisë së Maqedonisë duke potencuar se janë të qëndrimit se është hapur epokë e re e komunikimit mes dy shteteve.
 
“Vendimi për ndërrimin e emrit të aeroportit dhe autostradës është hap pozitiv për kthesë të asaj që është bërë në dekadën e kaluar dhe kishte prishur marrëdhëniet mes dy vendeve. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në drejtim me menaxhimin e irredentizmit dhe shpresojmë se do të thotë hapje e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve”,- njoftojnë nga Ministria e Jashtme e Greqisë.