Çairi shpall qytetar nderi piktorin, Omer Kaleshi
Ky artist tejkalon kufijtë kombëtar, duke lënë gjurmë në krijimtarinë e tij 30 vjeçare në Paris, ku ka trajtuar dramën ballkanike………
Komuna e Çairit, shpalli qytetar nderi piktorin shqiptar me famë evropiane dhe orientale, Omer Kaleshi. Ky artist tejkalon kufijtë kombëtar, duke lënë gjurmë në krijimtarinë e tij 30 vjeçare në Paris, ku ka trajtuar dramën ballkanike. Në nder të tij, do të themelohet edhe Galeri ku artdashësit do të kenë mundësi të shohin për së afërmi krijimtarinë e tij.
“Po me atë kënaqësi që kam shpalosur bustet e Skënderbeut dhe Hasan Prishtinës, me atë kënaqësi shpall qytetar nderi piktorin, Omer Kaleshi. Me dëshirën e përbashkët të Omer Kaleshit dhe tonën, do të themelohet Galeri në Çarshinë e Vjetër, ku do të shfaqen donacionet e tij, pikturat të dhëna Komunës së Çairit”, deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“I falënderohem shumë kryetarit të Komunës, Jordan Plevneshit dhe Luan Starovës, që folën për jetën time, unë do t’i përshëndes dhe do t’i falënderohem”, theksoi piktori, Omer Kaleshi.
Në pikturat e tij, shfaqen koka me veshje tradicionale të bardha dhe inspirimi për të pikturuar ato, rrjedh nga kujtimi i luftës mes partizanëve dhe ballistëve, ku në kujtesën e autorit mbeten kokat e të rënëve.
“Në këto koka, portretizohet heshtja shumëshekullore dhe zbulohet pjesë e rëndësishme e historisë sonë, drama e mbijetesës ndër shekuj te shqiptarët”, potencoi akademiku, Luan Starova.
“Vepra e Omer Kaleshit, shkëlqen në meridian me mesazhin e saj për dashurinë ndaj kokave që heshtin dhe paraqesin historinë e Ballkanit”, tha shkrimtari, Jordan Plevnesh.
Omer Kaleshi, është me origjinë nga Kërçova, pikturat e të cilit nuk njohin kufij dhe vetë Kaleshi vlerëson se ashtu si popujt që janë thjesht universal, po aq universal janë edhe pikturat që ai i shfaq para publikut gjithkund ku prezantohet. (Flutura Latifi, TVM2)