Botë
ShBA, ligjvënësit synojnë evitimin e mbylljes së qeverisë
07.02.2018 13:13
Ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara e kanë miratuar një tjetër legjislacion të përkohshëm të financimit...

Ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara e kanë miratuar një tjetër legjislacion të përkohshëm të financimit për ta evituar përsëritjen e mbylljes së qeverisë, siç ndodhi muajin e kaluar.
Dhoma Përfaqësuese e Kongresit amerikan me 245 vota për dhe 182 kundër, mbrëmë vonë ka vendosur për këtë masë të përkohshme. Legjislacioni i përkohshëm i shpenzimit për zgjerimin e financimit të qeverisë deri më 23 mars, tash duhet të miratohet në Senat.
Ky legjislacion është miratuar vetëm disa orë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të “donte” të shihte mbyllje të qeverisë, por që legjislacioni për imigrimin të mos përfshihej si pjesë e marrëveshjes. Për këtë legjislacion, Senati i Shteteve të Bashkuara pritet të diskutojë gjatë ditës së sotme.
Çfarëdo ndryshimi kërkon që ai të kthehet në Dhomën Përfaqësuese për shqyrtim të mëtejshëm. Për ta evituar mbylljen e qeverisë, kjo masë duhet të miratohet deri më 8 shkurt dhe të nënshkruhet nga presidenti Trump.
