Besimi: Integrimi, i rëndësishëm për stabilitetin politik
Në takimin me sekretarin e përgjithshëm ekzekutiv të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Pjer Vimont, si dhe drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Fernando Xhentilini, Besimi ka theksuar nevojën për zhbllokimin e procesit eurointegrues…...
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, kërkon ndihmën e Brukselit për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, por edhe bashkëpunim për zbatimin e reformave para fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
Në takimin me sekretarin e përgjithshëm ekzekutiv të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Pjer Vimont, si dhe drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Fernando Xhentilini, Besimi ka theksuar nevojën për zhbllokimin e procesit eurointegrues.
Sipas tij, situata e status-quo-së është e paqëndrueshme për Maqedoninë dhe për stabilitetin e tërë rajonit.
“Kërkova që institucionet e Evropës të kyçen edhe më tepër, për të ndihmuar procesin e bisedimeve me fqiun tonë jugor, Greqinë, që të mund të gjejmë zgjidhje për emrin, po ashtu edhe për mekanizmin e reformave, të cilin e kemi me BE-në, që të mund të ecim më tutje si për Këshillin e stabilizim-asocimit, të cilin do ta kemi në takimet e ardhshme për fazat e tjera që vijojnë, po ashtu edhe për negociatat që duhet Maqedonia t’i fillojë me BE-në”, deklaroi zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi.
Ndërkaq, Brukseli kërkon dialog politik dhe marrëdhënie të mira ndëretnike, por më shumë vëmendje për protestat kundër gjykimit për rastin e ashtuquajtur “Monstra” dhe bojkotin e opozitës.
“Qëndrim i përbashkët ishte që duhet një fokus që të tejkalohen të gjitha këto sfida sa i përket dialogut politik dhe avancimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe evitimi i incidenteve ndëretnike do të ndihmojë që të fokusohet Maqedonia edhe më tepër në integrimin euroatlantik dhe të mundësojë që institucionet evropiane të japin përkrahje të mëtutjeshme për procesin integrues të vendit”, theksoi Besimi.
Besimi ka informuar zyrtarët evropian se Maqedonia vazhdon të punojë në reformat dhe zbatimin e prioriteteve që dalin nga raporti i progresit dhe nga konkluzionet e Këshillit të Evropës, siç janë: reformat në gjyqësi dhe forcimi i besimit në institucione, të drejtat e njeriut, liria e të shprehurit, marrëdhëniet e mira ndëretnike, si dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)