Maqedoni

Ligji për arsimin fillor, ekspertët: reformat po dështojnë në praktikë. Ademi: e mirëpresim çdo ide nga mësimdhënësit

07.02.2018 14:47

Edhe në ndryshimet e Ligjit për arsim fillor nuk janë marrë parasysh vërejtjet e bëra nga pala më e interesuar, mësimdhënësit...

Panelistët në “Argument” në TVM2 u ankuan se një numër i madh i reformave të paralajmëruara po dështojnë në praktikë jo vetëm për shkak të kushteve jo të favorshme në të cilat vazhdon të zhvillohet mësimi, por edhe për shkak të mungesës së trajnimit adekuat të mësimdhënësve.  
 
“Nëse e ke klasën e parë duhet të jetë këndi i veçantë, të kesh kompjuterë dhe lodra, si do të bëhet ajo kur ne për momentin në disa shkolla të Çairit klasat e para nuk i kemi në shkollë, ne i kemi uzurpuar hapësirat e kopshtit të fëmijëve, çerdheve”,- deklaroi kryetari i LASh-it, Nuhi Dardhishta.
 
“Ne e kemi akoma problemin e trajnimit të mësimdhënësve për shkencat e natyrës, kjo është një komponentë ku duhet patjetër të ketë kujdes MASh-i dhe institucionet relevante që merren me këtë pjesë, organizimi i një trajnimi intensiv nuk mjafton me një fundjavë dy-tre ditë”,- u shpreh profesori i universitetit, Bashkim Ziberi.
 
“Nëse programet që i kemi nuk korrespondojnë me ekonominë e tregut, atëherë të gjitha këto lëvizje që po i bëjmë mund të jenë joefektive dhe jocilësore”,- deklaroi pedagogu, Muharrem Xhezairi.
 
Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se reformat në arsimin fillor janë shtruar në debat publik dhe MASh-i është i hapur të përfshijë të gjitha idetë që shkojnë në dobi të procesit mësimor e të nxënësve.
 
“Unë pres dhe me siguri se do të ketë ide mjaft të mira nga mësimdhënësit të cilët do ta pasurojnë versionin final të propozimit për reformat në klasë të parë, dytë dhe tretë, jam plotësisht i bindur se sado që një reformë të tingëllojë bukur, sado zgjidhje të mira të përmbajë ajo, nëse nuk bashkëpunojmë për implementimin e saj ajo reformë do të dështojë”,- u shpreh zëvendësministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
MASh-i do të stimulojë nxënësit e talentuar për të ndjekur fakultetin e pedagogjisë me bursë prej gjashtë mijë denarëve në mënyrë që të kemi edhe mësimdhënës të përkushtuar në zbatimin e reformave të paralajmëruara.
 
FLUTURA LATIFI