Maqedoni

Ahmeti: Synojmë integrimet, prandaj na duhet një emër. Sheqerinska: Për zgjidhje, duhet guxim nga të dyja palët

07.02.2018 15:10

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se një vend që aktualisht nuk ka emër por vetëm një referencë të përkohshme, IJRM, patjetër duhet të arrijë kompromis....

Në një intervistë për emisionin “Istories” të televizionit grek Sky, Ahmeti tha se BDI është e gatshme të mbështesë nëse nevojitet edhe ndryshimet kushtetuese, deri në zgjidhjen përfundimtare, sepse me rëndësi për Maqedoninë është rruga euroatlantike.
 
“Ne jemi pa emër, ne kemi një emër të përkohshëm, IRJM. Dhe tani ne po përpiqemi që të marrim emrin që na takon. Nëse mbyllet me sukses ky kapitull dhe hiqet nga qafa ky gur që peshon mbi 25 vite, ne jemi të gatshëm, kemi qenë të gatshëm edhe në të kaluarën që këtë proces ta ndihmojmë deri në fund të një zgjidhjeje përfundimtare. Për ne me shumë interes është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE. Në këto negociata, në këto takime me këto marrëveshje që bëhen, ne jemi në përkrahje të procesit, sigurisht që është një e arritur e madhe”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Për ministren e mbrojtjes, Sheqerinska, edhe qeveritë konservatore edhe ato socialdemokrate në momente të caktuara kanë pranuar kompromise të caktuara. Në të kaluarën i është thënë “po” kompromisit rreth propozimit “Republika e Maqedonisë-Shkupi”, dhe edhe sot ekziston konsensus në raport të nevojës për zgjidhje, por sipas saj, duhet përkushtim nga të dyja palët.
 
“Për tango nevojiten dy dhe tërësisht e kuptoj këtë. Po ashtu, nevojitet përkushtim i vërtetë edhe nga të dyja palët dhe gjithashtu pak guxim, që punët të shkojnë përpara. Me të vërtetë besoj se kemi histori të mundësive të humbura dhe mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë përvojë që të tregojmë ku duam të jenë dy vendet tona për 25 vjet”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
 
Sipas saj, fakti që po negociohet për propozime të emrit të përbërë me ndonjë lloj të mbiemrave ose shtesave, tregon se ekzistojnë dyshime, emocione, por edhe vullnet të shkojmë përpara.
 
GAZMEND KURTISHI