Maqedoni

Mungesa e infermierëve, kërkohen punësime të reja të profesionistëve

07.02.2018 15:35

Thuajse nuk ekziston institucion shëndetësor në vend që nuk përballet me mungesën e theksuar të personelit mjekësor...

Mungesa e infermierëve seriozisht vë në pikëpyetje funksionimin e shumë reparteve në spitale dhe ky problem doli në sipërfaqe sidomos pas mbylljes së repartit të hematologjisë në Klinikën e fëmijëve në Shkup. Për këtë repart u gjet mbrëmë një zgjidhje dhe ai sërish filloi të funksionojë, por unioni i infermierëve alarmon se gjendja nuk sanohet me zgjidhje momentale por duhen urgjentisht punësime të reja.
 
“Jemi në pritje se do të punësohen  infermierë  dhe personel tjetër mjekësor nëpër spitale dhe ne sinqerisht shpresojmë në të dhe besojmë se punësimet sadopak do të plotësojnë mungesën e madhe të personelit mjekësor nëpër institucioneve shëndetësore”,- deklaroi Gordana Belisheoska nga Unioni i OJQ-ve të Infermierëve, Akusherëve dhe Infermierëve të Stomatologjisë.
 
Mungesa e personelit mjekësor vërehet edhe nëpër institucioneve arsimore dhe qendrat për rehabilitim që kujdesen për personat me invaliditet.
 
“Si organizatë e personave me pengesa invalidore, kemi nevojë të theksuar për të ndryshuar qasjen dhe kujdesjen e personelit mjekësor ndaj nesh dhe të merren përvojat botërore në lidhje të përforcimit të aftësive të tyre mjekësore nëpër institucionet arsimore, siç janë shkollat dhe çerdhet”,- tha Suared Alishan nga OJQ “12 pa 5”.
 
“Kemi vërejtje të shumta në lidhje me procesin dhe qendrat e rehabilitimit të personave me invalidit, sepse shumë qendra të tilla në praktikë nuk korrespondojnë me nevojat tona për rehabilitim dhe këtu duhet punuar”,- u shpreh Mile Stojkoski nga OJQ e Invalidëve.
 
Unioni i gjashtë i organizatave të personelit mjekësor së bashku me 15 shoqata të pacientëve, nënshkruan memorandum bashkëpunimi për të rritur dhe përmirësuar shërbimet mjekësore ndaj pacientëve. 
 
REXHEP QAMILI