Maqedoni
Kontesti për emrin, Zaev: duam zgjidhje, por jo me çdo kusht
07.02.2018 16:01
Zgjidhja e çështjes së emrit duhet të garantojë identitetin dhe dinjitetin e të dyja palëve kontestuese...

Qeveria do të bëjë çmos që ta zgjidh këtë problem disavjeçar, por jo me çdo kusht, deklaron kryeministri, Zoran Zaev, duke potencuar se emri me përcaktim gjeografik është i pranueshëm për ekzekutivin që drejton.
“Për qeverinë është i pranuar emër me përcaktim gjeografik. Dinjiteti dhe identiteti janë shumë me rëndësi, por unë jam i bindur se Maqedonia mundet me konsensus të gjejë zgjidhje që është në interes të ardhmërisë dhe perspektivës së vendit. Besoni se absolutisht e dimë çka është e lejuar dhe deri ku mund të shkojmë. Do të bëjmë gjithçka të gjejmë zgjidhje për këtë problem të flaktë, por jo me çdo kusht”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Në pyetjen nëse zgjidhja do të duhet të përfshijë edhe ndryshime të kushtetutës së vendit, Zaevi tha se ato janë qëndrime të Greqisë, ndërkaq Maqedonia ka kushtet dhe qëndrimet e saj.
“Maqedonia ka ndryshuar Kushtetutën e vet në vitin 1993 për të precizuar nenin 49 të Kushtetutës, duke shtuar amendament dhe ky është hap i madh. Për momentin krejt çka duhet të bëjmë është të dëshmojmë se Maqedonia nuk ka aspirata irredentiste. Me kujdes dëgjoj edhe partnerin me të cilin negociojmë dhe absolutisht e di çka është e mundshme e çka nuk është. Gjithsesi, ka struktura radikale në Greqi, por duhet të bëjmë gjithçka që të gjendet zgjidhje”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaevi informoi se do të vazhdojnë takimet mes palëve negociuese dhe ndërmjetësit Nimic javën e ardhshme, por duke mos precizuar për takim të mundshëm mes zyrtarëve të lartë të vendit dhe atyre të Greqisë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
