Maqedoni
Anketë - IPE: gjendja në sistemin gjyqësor është e keqe. Komiteti i Helsinkit: për reformat duhet të angazhohen të gjithë
07.02.2018 16:41
Gjendja e përgjithshme në gjyqësor është e keqe. Kështu vlerësojnë administratorët shtetërorë dhe të punësuarit në sistemin gjyqësor...

Rezultatet e një ankete të realizuar nga Instituti për Politikë Evropiane dhe Komiteti i Helsinkit tregon se administrata nuk ka besim në sistemin gjyqësor .
73% e të anketuarve vlerësojnë se qeveria ka ndikim të madh në sistemin gjyqësor, e kjo duhet të zvogëlohet për t’u kthyer besimi i qytetarëve në vetë sistemin.
“Të punësuarit në administratën shtetërore të institucioneve qendrore vlerësojnë se në këtë sferë ne qëndrojmë keq. Një numër i madh i këtyre të anketuarve vlerësojnë se qytetarët kanë besim shumë të ulët tek institucionet e sistemit gjyqësor. Në pjesën se si duhet të rritet besimi i qytetarëve në këto institucione theksohet zvogëlimi i ndikimit të pushtetit ekzekutiv mbi atë gjyqësor me këtë dhe rritjen e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatave”,- deklaroi Ardita Imeri Abazi nga Instituti për Politikë Europiane.
Administratorët e anketuar thonë se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë dhe gjykatat kanë qasje selektive. Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe Këshilli Gjyqësor janë ranguar më ulët ndërsa, PPS vazhdon të ketë përkrahje më të lartë edhe nga punonjësit e administratës.
Por, nga Komiteti i Helsinkit vlerësojnë se reformat nuk mund të zbatohen vetëm nga një institucion dhe thonë se PPS ka pasur dhe ka obstruksione.
“Obstruksion tendencioz, ju e dini që kërkesat e PPS-së në pjesën më të madhe ishin të hedhura poshtë, siç ishin kërkesat për paraburgim. Obstruksione kishte edhe nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Reformat nuk mund të zbatohen dhe të varen vetëm na një institucion, p. sh. nga Ministria e Drejtësisë apo nga ndonjë këshill i ri për reforma. Në sistemin gjyqësor akoma nuk u bënë ndryshimet që duhet të bëhen me qëllim që vendi të mund të përjetojë drejtësi kur bëhet fjalë për gjyqësorin”,- u shpreh Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Një pjesë e madhe e të anketuarve vlerësojnë se situata me korrupsionin në vend është e keqe, ndërsa arsyeja kryesore është mosimplementimi apo implementimi selektiv i ligjeve.
Të anketuarit shqiptarë sipas anketës janë më optimistë sa i përket situatës në sistemin gjyqësor dhe korrupsionit në vend. Në këtë hulumtim janë përfshirë 288 administratorë nga 27 institucione.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
