Paratë publike, qeveria kontroll institucioneve rreth harxhimeve

07.02.2018 17:15

Institucionet nuk do të mund të shpenzojnë më pa kontroll paratë publike....

Institucionet nuk do të mund të shpenzojnë më pa kontroll paratë publike, njofton “TVM2”.

Qeveria vendosi krijimin e një këshilli të posaçëm me të cilin do të kryesojë vetë ministri i financave, Tevdovski, e që ka si detyrë të kontrollojë pikërisht se si harxhohen paratë publike. Këshilli njëkohësisht do të detyrojë institucionet t’i marrin më seriozisht raportet e revizorëve, të cilat deri tani pothuajse nuk lexohen nga institucionet.

“Ky trup do ta përforcojë punën ndaj institucioneve, me qëllim të zbatimit të masave dhe rekomandimeve që i japin revizorët shtetërorë pas kontrollit të vërtetuar në institucione të caktuara. Aktualisht vetëm një e treta e rekomandimeve të revizorëve zbatohet nga institucionet. Gjithsesi, qëllimi kryesor i këtij këshilli do të jetë që në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë mbështetje të plotë gjatë realizimit të synimeve reformuese”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

“Programi për menaxhimin me financat publike” përmban shtatë prioritete dhe ka për qëllim t’i detektojë dobësitë kyçe në menaxhimin me financat publike dhe të përmirësojë efikasitetin e shpenzimit të tyre.

Këshilli ka si qëllim pikërisht monitorimin e zbatimit të këtij programi dhe përveç ekspertëve nga vendi, në rast nevoje, në të do të përfshihen edhe ekspertë të huaj. (Belinda Koka Ademi, TVM2)