Gjermani, arrihet marrëveshja për koalicionin e madh

07.02.2018 18:40

Ka qenë një natë e gjatë negociatash, por më në fund kompromisi u gjend....

Ka qenë një natë e gjatë negociatash, por më në fund kompromisi u gjend dhe marrëveshja e koalicionit të madh në Gjermani arriti të marrë formë përfundimtare. Duket se palët arritën të dakordohen edhe për ndarjen e ministrive dhe Merkeli i ka lënë në duart e social-demokratëve karriget e para të financës, diplomacisë dhe ministrisë së punës.

Ishte pikërisht ndarja e ministrive pengesa më e madhe për koalicionin me partinë e Martin Schulzit. Tejkalimi i kësaj pengese i jep fund boshllëkut katërmujor të pushtetit pas zgjedhjeve të shtatorit, të cilat nuk prodhuan një fitues të qartë.

Pas një bllokimi disamujor, shpresat janë që deri për Pashkët Gjermania të bëhet me ekzekutiv të ri.

Fjala e fundit do t’i mbetet sërish 460 mijë pjesëtarëve të SPD-së, të cilët do të duhet ta tregojnë përmes votës me postë nëse e pranojnë marrëveshjen e koalicionit, por në këtë pikë një hap i tillë mund të konsiderohet thjesht formalitet.